Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, akuzon maxhorancën se po mashtron me shifrat e pandemisë. Duke iu referuar raportimit të fundit nga Ministria e Shëndetësisë për rastet me COVID-19, Vasili shkruan se sot testimet janë ulur me 20% ose 769 testime më pak se një ditë më parë, ndërkohë që pozitiviteti është rritur në 27.4%.
Sipas përllogaritjes së tij, rastet jo vetëm nuk janë ulur, por janë rritur.
POSTIMI I VASILIT
Rilindja nuk heq dorë nga mashtrimi me shifrat e pandemisë! Sot qeveria paraqiti 953 raste të reja të qytetarëve të infektuar me COVID. Në dukje më pak se një ditë më parë kur ishin 1124 raste të reja.
Por e vërteta është krejt ndryshe. Sot testimet u ulën me rreth 20%. Nga 4254 në 7 shkurt pra një ditë më parë, në 3485 testime sot më 8 shkurt, thënë më thjesht 769 testime më pak.
Në rast se në 7 shkurt treguesi i pozitivitetit ishte 26.4%, ndërsa sot në 8 shkurt përkundrazi ai është rritur në 27.4%. Pra rastet realisht jo vetëm nuk janë ulur, por përkundrazi janë rritur. Rilindja nuk heq dorë nga loja mashtruese me shifrat dhe kjo është kriminale sepse bëhet fjalë për pandemi, që merr jetë njerëzish. tpz.al