Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka paralajmëruar dje të gjitha partitë që të mos tregtojnë vota, ndërkohë që kanë ardhur dhe reagimet politike. Deputeti i PS, Ulsi Manja deklaroi në “Report Tv” se partia që blen vota është Lëvizja Socialiste për Integrim.
Manja tha se dita e zgjedhjeve do të nxjerrë se kush është lista fituese dhe kush është ajo që po përpiqet dhe po krijon të gjitha skenarët e shitblerjes së votës për të siguruar mandate në Parlament, duke u shprehur se këto janë manovra që bëhen nga LSI.
“Unë listën e LSI nuk e di as kë kishte në listë kur ishin në Parlament. Këtë të renë as e kam marrë mundimin ta lexoj qark për qark. 25 prilli do të jetë një betejë ku shqiptarët jo vetëm do të votojnë PS, por do të nxjerrin në sipërfaqe edhe armiqtë e votës së lirë në këtë vend. Nuk është vonë të braktisen skenarët e shitblerjes së votës nga sot deri më 25 prill. Pra suksesi i asaj liste do të duhet t’i kthehet realisht votës së lirë të shqiptarëve. 25 prilli do të përcaktojë kush është lista fituese dhe kush kanë qenë armiqtë e votës së lirë”, – tha Manja.
Manja përmendi edhe deklaratat e presidenti Ilir Meta se “do t’i pritet dora kush prek votën” duke thënë se këto thirrje t’ia drejtojë personit që i besoj kryesimin e partisë që ai la pas duke iu referuar Monika Kryemadhit. Manja tha se “duart e prera” do të jenë në kampin tjetër dhe se në kampin e PS nuk do të ketë asnjë njollë as në thoin më të vogël, pasi suksesi i fitores së PS nuk është ngritur mbi shitblerjen e votës.
“PS nuk merret me blerje votash pasi nuk fitohet mazhoranca me një grusht votash të blera. Politika e vjetër të marrë masa të braktisë skenarët e vjedhjes së votë të lirë dhe presidenti ta përçojë këtë mesazh tek partia e vetë. Këtë radhë do të dalë në sipërfaqe e vërteta se kush parti ka garantuar mandate mbi shitblerjen e votës dhe e presidentin që mesazhin për t’i prerë dorën kush vjedh votën ta përçojë te paria që ja ka lënë Kryemadhit, pasi do të përballet me ashpërsinë e ligjit. Duart e prera do të jenë në kampin tjetër, nuk do të ketë asnjë njollë në thoin e PS. Suksesi i fitores së PS nuk është ngritur mbi shitblerjen e votës. Ata që shpallin betejë për jetë a vdekje 25 prillin, çelësin e fitores e kanë ndërtuar lidhur me interesa okulte dhe jo mbi votën e lirë”, – tha Manja.