Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, tha se tërheqja e vendit të tij nga një traktat ndërkombëtar kundër dhunës ndaj grave nuk është hap prapa, duke e mbrojtur vendimin që nxiti kritika nga shumë turq dhe nga aleatët perëndimorë.
“Disa qarqe po mundohen ta portretizojnë tërheqjen tonë nga Konventa e Stambollit si hap prapa në betejën tonë me dhunën kundër grave. Beteja jonë s’ka filluar as nuk do të mbarojë me tërheqjen tonë nga traktati”, tha presidenti turk gjatë një takimi në Ankara.
Erdogani kishte njoftuan në mars për vendimin rreth tërheqjes së Turqisë nga Konventa e Stambollit. Ky vendim hyri në fuqi të enjten, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Konventa e Stambollit ishte negociuar dhe nënshkruar në qytetin më të madh të Turqisë në vitin 2011. Me këtë dokument, palët ishin zotuar për parandalimin dhe ndjekjen penale të dhunës në familje dhe për promovimin e barazisë.
Mijëra njerëz pritet të protestojnë të enjten kundër tërheqjes së Turqisë nga ky traktat. Një kërkesë në gjykatë për moszbatimin e këtij vendimi u rrëzua këtë javë. Turqia së fundi është përballur me rritje të numrit të vrasjes së grave.
- Tërheqja e Turqisë nga Konventa e Stambollit është dënuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Kritikët thonë se ky vendim do ta largojë edhe më tej Turqinë nga anëtarësimi në BE, ndonëse ka aplikuar për një gjë të tillë që në vitin 1987.