Mëngjesin e sotëm u shpërnda me shpejtësi lajmi se shefja e spitalit Infektiv Najada Çomo ishte intimiduar përmes telefonatave, nga një e re nga qyteti i Beratit. Por 32-vjeçarja e cila është kontaktuar nga mediat thotë se nuk e njeh Çomon, dhe ajo ka ngatërruar numrin e telefonit.
‘Kam ngatërruar numrin, nuk e njoh fare Najada Çomon’, mësohet se është shprehur 32-vjeçarja.
Denoncimi për qytetaren nga Berati ishte bërë nga Çomo në komisariatin numër 4 të Policisë së Tiranës, ndërkohë që rasti ishte referuar për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Tiranës.
”Më datë 15.02.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasen M. Ç., (S), 32 vjeçe, banuese në Berat, sepse prej datës 28.01.2021 dhe në vazhdim, ka shqetësuar me telefonata të shumta, shtetasen N. Ç”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
Thirrjet telefonike keqdashëse që bëhen me qëllim për të prishur qetësinë e tjetrit, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim deri në një vit.