Policia e Mallakastrës ka vënë në pranga tre persona, si autorë të dyshuar të plagosjes së një 57-vjeçari. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, në qytetin e Ballshit, në lagjen “5 Shkurti”.
I plagosuri, P. S., 57 vjeç, është gjetur i shtrirë përtokë në gjendje të rëndë shëndetësore. Ky i fundit aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë, ku është duke marrë mjekim të specializuar, por gjendja e tij paraqitet e rëndë.
Policia informon se të arrestuarit në flagrancë janë shtetasit F. Z., 42 vjeç; F. A., 53 vjeç dhe F. M., 44 vjeç të tre banues në Mallakastër.
Njoftimi i plotë:
Plagosin rëndë një shtetas, Policia zbardh ngjarjen, identifikon dhe arreston në flagrancë 3 autorët.
Gjatë mbrëmjes së djeshme, në qytetin e Ballshit, në lagjen “5 Shkurti” është konstatuar i shtrirë përtokë në gjendje të rëndë shëndetësore shtetasi P. S., 57 vjeç.
Nga informacionet e siguruara në rrugë policore dhe pas punës hetimore e profesionale, Policia zbardhi ngjarjen, identifikoi, kapi dhe shoqëroi në Komisatiatin e Policisë Mallakastër tre shtetasit të cilët pas një konflikti të çastit për motive të dobëta kanë dhunuar fizikisht 57-vjeçarin.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër, arrestuan në flagrancë shtetasit F. Z., 42 vjeç; F. A., 53 vjeç dhe F. M., 44 vjeç të tre banues në Mallakastër.
Shtetasi P. S., ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore, nën kujdesin e mjekëve.
Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim.