Personi që shihni në foto është 45-vjeçari Çajup Selimi, cili u qëllua për vdekje me pistoletë në qendër të Tepelenës.
Rezulton që viktima të jetë pronar i një biznesi materialesh ndërtimi dhe të ketë pasur konflikte për shkak të konkurrencës në të shkuarën.
Selimi u dërgua menjëherë në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.
Nuk dihet ende identiteti i autorit si dhe as rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja. Megjithatë vlejnë për t’u përmendur konfliktet që ka pasur viktima në të shkuarën.
Në vitin 2018 Selimi u përlesh me dy persona, të cilët e goditën e atë me mjete të forta. Asokohe familjarët e tij do të deklaronin se ai ishte sulmuar edhe 4 herë të tjera.
Për ngjarjen në vitin 2018 u ndalua Risiano Abedini, po nga Tepelena. Megjithatë mbetet e paqartë nëse ngjarja e sotme ka lidhje me atë të ndodhur tri vite më parë.
Njoftimi i Policisë
Rreth orës 21:15 në qytetin Tepelenës, në lagjen “15 Shtatori”, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi Ç.S., rreth 45 vjeç, i cili ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Gjirokastër si pasojë e plagëve të marra.
Menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë dhe Forcat Shqiponja të DVP Gjirokastër kanë shkuar në vendngjarje dhe po krehin zonën për kapjen e autorit.
Ndërkohë janë ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit Tepelenë. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.