Transparency International deklaroi se autoritetet shqiptare duhet, pa vonesa të mëtejshme, të përcaktojnë nëse partia në pushtet i ka marrë të dhënat personale të votuesve në Tiranë nga regjistrat qeveritarë.
“Nëse provohen, akuzat se partia në pushtet në Shqipëri ka zhvilluar një databazë të përfituar në mënyrë të paligjshme me informacion personal e privat për 910 mijë qytetarë do të përbënin jo vetëm dhunim të të dhënave por edhe dhunim të besimit të publikut.” deklaroi Daniel Eriksson, drejtuesi i Sekretariatit të Transparency International.
Reagimi vjen kur Gjykata Europiane e të drejtave të Njeriut reagoi shpejt duke ndaluar konfiskimin e kompjuterave dhe celularëve të gazetarëve të portalit Lapsi.al, që denoncoi abuzimin me të dhënat e shqiptarëve.
Sipas Transparency International, SPAK duhet të hetojë urgjentisht nëse partia në pushtet ka abuzuar me burimet shtetërore për të siguruar fitoren në zgjedhjet parlamentare të së dielës.
TI shkruan se më 11 prill, një portal shqiptar (Lapsi.al) publikoi të një databazë që përmbante të dhëna personal dhe informacion privat për 910 mijë individë, me pretendimin se është përpiluar nga Partia Socialiste në pushtet. U zbulua – e më pas edhe u konfirmua – se votuesve u ishin caktuar ‘patronë’ që gjurmonin preferencat e tyre politike. Komente shtesë, të regjistruara nga patronët, detajonin ndërveprimin me qytetarët, në disa raste edhe me intimidim të mundshëm të votuesve.
Daniel Eriksson, CEO i Sekretariatit të Transparency International, thotë:
“Vitet e fundit, kemi parë një trend alarmues të shfrytëzimit të të dhënave personale për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve. Nëse provohen, akuzat se partia në pushtet në Shqipëri ka zhvilluar një databazë të përfituar në mënyrë të paligjshme me informacion personal e privat për 910 mijë qytetarë do të përbënin jo vetëm dhunim të të dhënave por edhe dhunim të besimit të publikut. Një hetim i paanshëm do të kishte qenë në gjendje të përcaktonte shumë shpejt nëse partia i përfitoi të dhënat personale të qytetarëve nga burime qeveritare”.
Databaza e publikuar përmban emrat e 9,000 ‘patronëve’, shumë prej të cilëve gazetarët i kanë identifikuar si punonjës të sektorit publik, oficerë policie e madje edhe personel ushtrie.
Kryeministri Edi Rama konfirmoi sistemin e ‘patronëve’, por deklaroi se të dhënat janë grumbulluar përmes takimeve derë-më-derë. Sipas Avokatit të Popullit, grumbullimi dhe përpunimi i informacionit sensitiv të parë në databazë është i paligjshëm, para së gjithash.
“Është e pakonceptueshme që zyrtarët e qeverisë e kanë minimizuar rëndësinë e këtyre zbulimeve”, shtoi Eriksson.
“Dështimi për të hetuar siç duhet e për të ndëshkuar shkeljet do të hedhë hije mbi ndershmërinë e zgjedhjeve të ardhshme. U bëjmë thirrje vëzhguesve ndërkombëtarë t’i kenë parasysh këto çështje si pjesë e vlerësimeve të tyre“.