Telefonata njoftoi për sherr në familje, shkon policia por gjen armë dhe lëndë plasëse

Një telefonatë për konflikt familje ka zbuluar armë zjarri dhe kallëpe me lëndë plasëse në banesën e një shtetasi në Durrës.

Siç bën me dije policia, “pas një telefonate të marrë në Sallën Operative, se në lagjen nr. 14, Durrës, në një familje kishte konflikt familjar, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë”.

Uniformat blu kanë konstatuar shtetasin I. T., i cili ishte në gjendje të dehur.

Pas kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në banesën e tij janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pushkë, 3 kallëpe me lëndë plasëse, 3 radio dhënëse-marrëse dhe 1 kapsollë me 2 fije elektrike.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi I. T., 51 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”.Tpz.al

Author: admin