Dy persona u vranë dhe mbi 20 të tjerë u plagosën të dielën, kur një grup prej tre personash qëlloi me armë zjarri pa dallim ndaj një turme jashtë një koncerti në Majami të Floridës, tha policia lokale. Një nga të plagosurit është në gjendje kritike, thonë autoritet.
Të shtënat pa dallim ndaj turmës në koncert ndodhën pas mesnatës pranë zonës që njihet si Kopshtet e Majamit (Miami Gardens), tha policia.
Ndërsa njerëzit qëndronin jashtë, një fuoristradë e tipit Nissan Pathfinder iu afrua turmës dhe “tre njerëz dolën nga makina dhe qëlluan pa dallim ndaj turmës”, tha policia. Tre individët më pas hipën në makinë dhe u larguan nga skena.
Ekipet e përgjigjes së shpejtë arritën në skenë dhe gjetën dy të vrarë, thuhet në deklaratën e policisë. Mbi 20 të plagosur u dërguan në spital, me të paktën një në gjendje të rëndë.
Përmes një shkrimi në rrjetin Twitter, drejtori i policisë për qarkun Miami-Dade Alfredo “Freddy” Ramirez dënoi “aktin e dhunës”.
“Këta janë vrasës gjakftohtë që qëlluan pa dallim ndaj turmës, dhe ne do të kërkojmë drejtësi”, tha ai.
Shtetet e Bashkuara kanë një histori të gjatë dhe të dhimbshme të dhunës me armë dhe në disa raste vrasje masive të profilit të lartë nëpër shkolla, qendra tregtare apo vende pune.
Vrasjet, kryesisht ato me armë zjarri, janë rritur gjatë vitit të kaluar. Gjatë muajve të fundit kanë ndodhur vrasje masive në një objekt të kompanisë postare FedEx në Indinapolis, në një ndërtesë zyrash në Kaliforni, në një dyqan ushqimor në Kolorado dhe disa vrasje në Atlanta. Presidenti Joe Biden e cilësoi muajin e kaluar dhunën me armë zjarri si “epidemi” dhe “turp ndërkombëtar”.
Më shumë se 43, 000 njerëz humbën jetën vitin e kaluar në Shtetet e Bashkuara nga dhuna me armë zjarri, pëfshi vetëvrasjet, sipas organizatës Arkiva e Dhunës me Armë./VOA