Kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj, ka qenë e ftuar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, ku ndër të tjera është pyetur lidhur me raportet e saj me kryeministrin dhe një takimi të supozuar mes tyre në një restorant të Tiranës.
Imeraj mohoi që ky takim të ketë ndodhur dhe tha se nuk ka asnjë marrëdhënie me Edi Ramën.
Pjesë nga biseda:
Blendi Fevziu: Jeni takuar për rreth dy orë me kryeministrin Rama në restorant Padam?
Elisabeta Imeraj: Me këto lloj teorishë, që kur bën hetim je pjesë e një partie të caktuar, edhe në rastin konkret, njohja ime me kryeministrin, është si njohja e çdo qytetari shqiptar. Nuk jam takuar, absolutisht jo!
Blendi Fevziu: Pjesa më e madhe e mediave flasin për një takim tuajin me Ramën në një restorant të Tiranës, Padam.
Elisabeta Imeraj: Absolutisht jo!
Blendi Fevziu: Basha ju ka konsideruar si ikonë të korrupsionit.
Elisabeta Imeraj: Arsyeja përse ishte kaq i nevojshëm reformimi i sistemit të drejtësisë, është që prokurorët të ndihen të pavarur. Të dalin nga sita e politikanëve që gjuajnë për arsye të tyre. Nëse ka pretendimet për korrupsion, krim, ka organe kompetente që ushtrojnë ndjekjen penale dhe venë gjithëkënd përpara përgjegjësisë.