Kryeministri Edi Rama ka shpalosur sot me një akt skandaloz sjelljen e tij ndaj një gruaje, në këtë rast ndaj kandidates për deputete të Partisë Demokratike, Grida Duma. I impostuar shpesh gjatë karrierës së tij për ta paraqitur veten si një përkrahës i grave duke zgjedhur në kabinetin qeveritar rreth 50 për qind gra ai nuk ka mundur që statistikat e përfaqësimit t’i përkthejë në një qasje reale të respektimit të gjinisë femërore si të barabartë
Në një dalje televizive ku gjuha e tij ishte bulliste nga fillimi në fund ai etiketoi çdo kandidat të opozitës, ndërsa për Grida Dumën kishte rezervuar një koment seksist që kapërcente çdo cak. Ai kishte zgjedhur një foto të saj ndërsa mbante një fjalim. Duma ishte kapur në momentin kur kishte gojën hapur, ndërkohë që mbante mikrofonin para. Një foto me një nënkuptim të dukshëm seksist e zgjedhur posaçërisht prej kryeministrit për t’i përshtatur komentin që bëri për; “Gridare, gridare, gridare ohoho” . Në lojën e fjalëve mes emrit të saj dhe kuptimit të fjalëve në gjuhën italiane Rama tha: “Bërtit, bërtit ohoho!”.
Nuk besoj se ka një njeri me logjikë të shëndoshë sot që nuk e kupton që ky koment ishte më shumë se seksist, ishte skandaloz në gojën e një kryeministri, ishte një koment i papranueshëm i thënë publikisht live në sytë e gjithë shqiptarëve.
Kur ai e bëri këtë koment ngjante me një rrugaç lagjeje që ngacmon vajzat në rrugë duke u bërë një kërcënim real për to.
Një kryeministër që është djalë i një nëne, bashkëshort i një gruaje, baba i një vajze, nuk e mendoi për një moment që gruaje të cilën ai po etiketonte me komente seksiste është vajza e një babai, bashkëshortja e një burri dhe nëna e një djali.
Nëse do të jetonim në një vend normal kjo gjë do të provokonte protesta të shoqërisë civile me në krye shoqatat e mbrojtjes të së drejtave të vajzave e grave. Por fatkeqësisht nuk mund të presim një reagim të vërtetë nga tredhja e shoqërisë civile dhe drejtimi i këtyre organizatave nga gra, të cilat janë mësuar të venerojnë në oborrin e Ramës.