Gjykata e Strasburgut ka dhënë verdiktin e parë lidhur me procesin e Vettingut në Shqipëri, duke rrëzuar pretendimet e ish-gjyqtares Altina Xhoxhaj.
Gjykata i jep kësisoj të drejtë Vettingut lidhur me shkarkimin e saj. Sjellim në vëmendje që Xhoxhaj u shkarkua dhe u nxor nga sistemi pas 15 vitesh karrierë, ndërsa në padinë e saj e cilësonte trupën të papajtueshme.
KPK e shkarkoi gjyqtaren në mars të vitit 2018, vendim që u la në fuqi në tetor të po atij viti.
Xhoxhaj ka pretenduar para trupës gjykuese ndërkombëtare për një seri shkeljesh gjatë procesit të Vetingut, përfshirë të drejtën për një proces të rregullt ligjor, e zhvilluar nga një trupë e pavarur, e paanshme dhe e aftë për detyrën.
VENDIMI NGA STRASBURGU
Në vendimin1 e sotëm të trupës gjyqësore të Dhomës në çështjen Xhoxhaj k. Shqipërisë (çështja
nr. 15227/19) Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi:
me shumicë votash (6 kundër 1) se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1 (e drejta për një proces të
rregullt) të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut përsa i përket pretendimit për mungesë të
pavarësisë dhe paanshmërisë të organeve të vetingut,
me shumicë votash (5 kundër 2) se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1 përsa i përket pretendimit për
parregullsi të procedurave,
me shumicë votash (5 kundër 2) se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1 përsa i përket pretendimit për
mosmbajtjen e një seance publike përpara Kolegjit të Apelimit,
me shumicë votash (5 kundër 2) se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1 përsa i përket pretendimit për
shkelje të parimit të sigurisë juridike, dhe
me shumicë votash (5 kundër 2) se nuk kishte shkelje të nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës
private dhe familjare).
Çështja shqyrtoi shkarkimin nga detyra të një gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese në vijim të
procedurave të filluara ndaj saj, si pjesë e një procesi të jashtëzakonshëm për rivlerësimin e
përshtatshmërisë në detyrë të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend, i njohur ndryshe si
procesi i vetingut. Çështja e kërkueses u shqyrtua nga organet e vetingut, dhe Kolegji i Apelimit, pasi
e mori çështjen në shqyrtim në dhomë këshillimi, la në fuqi shkarkimin e saj nga detyra.
Gjykata arriti në përfundimin se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1, pasi organet e vetingut kishin qenë
të pavarura dhe të paanshme, procedurat kishin qenë të rregullta, shqyrtimi i ankimit të kërkueses
në seancë publike nga Kolegji i Apelimit nuk kishte qenë i domosdoshëm dhe nuk ishte shkelur
parimi i sigurisë juridike.
Për më tepër, Gjykata konstatoi se nuk kishte shkelje të nenit 8, pasi shkarkimi nga detyra kishte
qenë proporcional dhe ndalimi i përhershëm ligjor për të rihyrë në sistemin e drejtësisë për shkak të
shkeljeve të rënda disiplinore kishte qenë në përputhje me garantimin e integritetit të detyrës së
magjistratit dhe të besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.