Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK) ka vendosur të zgjasë me një muaj hetimet për ish-gjyqtaren e Krujes, Enkeleida Hoxha, dhe të arrestuarit e tjerë.
“Zgjatjen e afatit të hetimeve paraprake të procedimit penal nr.102/2 të vitit 2020 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në ngarkim të shtetasve nën hetim Enkeleida Hoxha, Aldo Tabaku, Manuela Mallkuçi, Gazmir Nezaj, Gentjan Nezaj, Isuf Tanuzi, Bledar Petani, Sajmir Petani dhe Altin Skëndera, për një periudhë një mujore, nga data 05.08.2021 deri në datë 05.09.2021”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, afatet hetimore janë zgjatur edhe për të pandehurit e tjerë, Aldo Tabaku, Isuf Tanuzi, Trëndafile Fagu, Migena Skënderin.
Ndërkohë, SPAK ka vendosur të zgjasë me 6 muaj hetimet për mjekun e arrestuar të QSUT, Edvin Prifti, si pjesë e arrestimeve në Gjykatën e Krujës, nën akuzën e korrupsionit.
Prej 11 shkurtit gjyqtarja Enkelejda Hoxha është arrestuar me urdhër të SPAK.
Bashkë me 9 persona të tjerë të vënë në pranga gjatë operacionit, ata akuzohen se kishin ngritur një skemë përmes të cilës ulnin dënimet ose lironin nga burgu të dënuar për vepra të rënda penale kundrejt parave.