SPAK ka njoftuar mbylljen e dosjes për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, në të cilin mbeti i vrarë shoferi i tij, Andi Maloku.
Përmes një deklaratë për mediat, SPAK njofton se ka dërguar në gjykatë dosjen për Redjan Rrajen, autorin kryesor të atentatit që ndodhi në autostradën Tiranë-Durrës.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, ka përfunduar hetimet paraprake për procedimin penal nr.184 të vitit 2019. Në kuadër të këtij procedimi penal janë kryer një numër shumë i madh veprimesh hetimore dhe në përfundim të hetimeve paraprake janë marrë të pandehur dhe dërguar për gjykim të pandehurit:
Redjan Asllan Rraja, akuzuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Arjan Ndoja, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, me pasojë vdekjen e shtetasit Andi Maloku dhe mbetur në tentativë në dëm të shtetasit Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi), “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 79/a – 22, 79/dh-22, 278/1, 2, 134, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të K.Penal.
Ariol Mustafa Halilaj, akuzuar se ka kryer veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Arjan Ndoja, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, me pasojë vdekjen e shtetasit Andi Maloku dhe mbetur në tentativë në dëm të shtetasit Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi), “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 79/a – 22, 79/dh-22, 278/1, 2, 134, 28/4, 134, 333/a/2 dhe 334 të K.Penal.
Hetimet e këtij procedimi penal kanë të bëjnë me ngjarjen e datës 01.11.2019, rreth orës 16:00, në autostradën Durrës-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, disa persona me një automjet benz, ngjyrë gri, që mbante të vendosur targën AA342LM kanë qëlluar më armë zjarri në drejtim të automjetit me targe AA333ZD, me të cilin udhëtonin shtetasit Andi Maloku, Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho, ku për pasojë këta shtetas kanë marrë plagë të shkaktuara nga qitja me armë zjarri. Si pasojë ka gjetur vdekjen në spital shtetasi Andi Maloku, kurse shtetasit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho kanë marrë plagë me armë zjarri dhe i janë nënshtruar mjekimit në spital.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vazhdon hetimet në kuadër të procedimit penal të ndarë me nr.184/1, me qëllim zbulimin e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.