Slogani “Të gjithë janë njësoj”, nuk i ndihmon shqiptarët, por ushqen mandatin e tretë të Ramës!

Një mesazh për emigrantët!

Unë nuk e di se çfarë do të thotë të jesh emigrant. E kam kapërcyer kufirin ose për punë ose për pushime, megjithatë për emigrantët dhe qëndrimet e ndryshme që ata mbajnë në rrjet, kisha dy fjalë;

Ndoshta të parë nga larg ne jemi një popull i dobët, pa dinjitet dhe mjeran për sa kohë nuk ngrihemi në revolucion dhe ndoshta ju keni të drejtë të thoni- Mirë jua bëjnë. Vetë i zgjidhni! Mos zgjidhni asnjërin prej tyre! Bojkotojini të gjithë.

Nuk kemi qënë ndonjëherë popull revolucionesh. Revolucioni i vetëm që kemi bërë është braktisja e Shqipërisë.

Ndaj, ky argumenti i revolucionit bie kryekëput poshtë. Çdo popull ashtu si çdo individ, duhet të pranojë kufizimet përkatëse.

Thirrja për bojkotim të zgjedhjeve apo përdorimi i sloganit ” Të gjithë njësoj janë” nuk i ndihmon shqiptarët, por ushqen veçse mandatin e tretë të Edi Ramës.

Se sa e mirë ka qenë qeverisja e Rilindjes, mjafton të përmendim vetëm një fakt – 470.000 shqiptarë janë larguar.

Dhe nuk janë larguar nga mirëqënia në këtë vend, sikundër nuk jeni larguar as ju, që bëni thirrje për bojkot të zgjedhjeve.

Ju keni vendosur të largoheni. Ne kemi vendosur të qëndrojmë. Në qëndresën e qëndrimit, po përpiqemi të mos ushqejmë mandatin e tretë të një njeriu anormal, pasi zyrtarizohet përfundimisht diktatura dhe në këtë rast nuk mbështetet opozita sa luftohet pushteti absolut në duart e një njeriu të vetëm.

A do të donim ne që parlamenti të mbushej vetëm me deputetë me integritet?! Sigurisht që po.

Ajo çka duam si popull me atë çka mundemi, janë dy gjëra krejt të ndryshme.

Në këtë pikë tragjike ku ka rënë ky vend, e vetmja mundësi e zbatueshme dhe reale për të mundësuar rrotacionin është vota kundër Edi Ramës dhe bojkoti apo slogani ” të gjithë njësoj janë” nuk ndihmon askënd, pasi sikur edhe vetëm familjarët e deputetëve Rilindas të paraqiteshin në zgjedhje, mandati i tretë do të merrej.

Post Scriptum- Nuk është aq e lehtë të jetosh në Shqipëri. Është një lloj emigracioni më vete.TPZ.al

Author: admin