Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka ndjekur nga afër vaksinimin e stafeve mjekësore në qendrën e vaksinimit në Stadiumin ‘Air Albania’.
Ditën e sotme në këtë qendër është bërë vaksinimi i stafit të Urgjencës Kombëtare, ku mes personave të vaksinuar ishte dhe kreu i Urgjencës Skënder Brataj.
“Vaksina të siguron mbrojtje, do presim edhe 21 ditët që të bëjmë dozën e dytë. Por midis këtyre dy vaksinave duhet të vijojmë të ruhemi”, tha Brataj.
Gjatë vaksinimit ka qenë dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila bëri me dije se vetëm gjatë ditës së sotme do të kryehet vaksinimi i 500 mjekëve dhe infermierëve në qendrën e ngritur në stadiumin “Air Albania”.
“Po vijojmë intesivisht me të gjithë ekipet tona. Po përfundon QSUT, Urgjenca Kombëtare, spitali Dibrës, Krujës, sot vetëm tek Arena Kombëtare vaksinohen më shumë se 500 punonjës të shëndetësisë, ndërkohë që vijon vaksinimi edhe për të moshuarit në shtëpitë e të moshuarve. Jemi në një moment pune intesive”, tha Manastirliu.