Efektivë të Ushtrisë Shqiptare, kanë paisur me jelekë shpëtimi trafikantët që tentuan të transportojnë në rrugë detare nga Shqipëria drejt italisë, 55 klandestinë Sirianë, Iranianë dhe Egjiptianë.
Skandali ka ndodhur në repartin e Rojes Bregdetare të Flotës Detare në Vlorë më 8 janar 2021. “Ora News”, zbardh këtë skandal, që mëngjesin e së enjtes çoi në arrestimin e 5 anëtarëve të ekuipazhit të anijes ushtarake “P-116”, Sejfulla Beja, Bledar Bufaj, Roland Cani, Ardit Alikaj, dhe Besmir Meçe.
Dy trafikantëve nga Vlora, Emiljano Likaj, tashmë i arrestuar dhe një tjetër ende në kërkim, u janë dhënë jelekë shpëtimi nga ekuipazhi i anijes ushtarake, madje para se të largoheshin, ata kanë qëndruar në kabinën e drejtimit të anijes, dhe kanë biseduar në telefon me familjarët e tyre.
Bisedat telefonike janë kryer rreth orës 23:48 të datës 8 janar 2021, duke përdorur telefonin celular të anijes Ushtarake. Policia dhe prokuroria e Vlorës, pas pesë muaj hetime kanë çuar për ndjekje penale për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, pesë efektivët e Flotës Detare që shërbenin në anijen ushtarake P-116.”Bora”.
Në dëshmitë e emigrantëve thuhet se bashkë me ta në bordin e anijes së shpëtimit, kanë hipur dhe dy shtetas shqiptarë që drejtonin gomonen. Ata janë futur në kabinën e drejtimit të anijes nga ana e personelit ushtarak.
Pasi janë afruar rreth 100 metra pranë bregut apo rreth pesë minuta përpara se të ankoroheshin në kalatë, dy trafikantët shqiptarë që drejtonin gomonen e mbytur,i janë dhënë jelekë shpëtimi me ngjyrë portokalli dhe janë lënë të lirë, duke u hedhur në det për t’i shpëtuar arrestimit nga policia.”
Në këtë mënyrë, kur anija e Flotë Detare është ankoruar në kalatë, aty kanë zbritur vetëm 55 klandestinët dhe jo dy trafikantët që ishin hedhur nga anija duke u larguar me not.
Për të arritur në brigjet e Italisë klandestinët që rrezikuan të mbyteshin në det, sipas burimeve, paguanin nga 4 deri në 5 mijë euro, ndërsa në ndihmë të kësaj veprimtarie ishte krijuar edhe një infrastrukturë e plotë./ Ora News