Situata me pandeminë e koronavirusit është përkeqësuar ndjeshëm në vendet e rajonit ku varianti Delta, po shkakton shifra rekord të infektuarish. Kosova raportoi mbi 2500 raste ditore, të mërkurën, ndërsa rastet e vdekjes prej ditësh janë më dy shifra. Spitalet janë drejt ezaurimit të kapaciteteve, dhe nuk mungojnë as rastet e rënda. Situata mbetet e rëndë edhe në Maqedoninë e Veriut ku në 24 orët e fundi u shënuan 29 humbje jetësh,mes të cilëve edhe një 21 vjeçar. Përkeqësimi i krizës shëndetësore duket se do të behet shkas që Kosova dhe Maqedonia e Veriut të hiqen nga lista e Bashkimit Europian, me të ashtuquajturat shtete të sigurta.
Radio Evropa e lirë që citon burime të besueshme, thotë se Sllovenia si vend kryesues i BE, ka përpiluar një listë të re të vendeve, ndaj të cilave duhet të kthehen masat kufizuese sa i takon lëvizjes në shtetet anëtare.
Lista do të votohet gjatë ditëve në vazhdim. Përveç Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, mësohet se BE-ja ka përfshirë në listën e vendeve të pasigurta edhe Malin e Zi, Izraelin, Shtetet e Bashkuara dhe Libanin.Në parim, nga vendet që nuk janë në listën e shteteve të sigurta, udhëtimet lejohen vetëm për arsye të domosdoshme. Nëse shifrat do të vijojnë të rriten me të njëjtat ritme , edhe Shqipëria rrezikon të zhvendoset shpejt në listën e zezë të BE.