Mbeten në fuqi të njëjtat masa anti-Covid. Sipas Mira Rakacollit, këto masa, duke përfshirë edhe orën policore, duke nisur nga ora 20:00 deri në 06:00 të mëngjesit, të mbeten në fuqi për dy javë.
Komunikimi i masave vjen një ditë para nisjes zyrtare të fushatës zgjedhore në vend, ku pritet të ketë organizime nga partitë politike.
“Ka një tendencë uljeje që është e qëndrueshme. Komiteti mendon se këto shifra janë si rezultat i efaksitetit të masave, ka një përmirësim të lehtë të zbatimit të masave, por na vjen keq ta themi, nuk është në nivelet e dëshiruara. Europa po përballet me rritje të numrit të rasteve, disa vende po përballet me valën e tretë. Në Francë, Gjermani. Pavarësisht uljes së indikatorëve, ato mbeten në nivelin që të sugjerojnë që situata mbetet delikate.
Komiteti ka vendosur që masat të mbeten në të njëjtin nivel edhe për dy javë të tjera. Do vazhdojë ora policore nga 20:00 deri në 06:00 të mëngjesit, ku do lëvizet vetëm për emergjenca shëndetësore, ose për emergjenca pune. Baret dhe restorantet do vazhdojnë të punojnë deri në orën 08:00, dhe pastaj do punojnë me delivery, shkollat do të vazhdojnë të mbeten online, fluturimet për në Britaninë e Madhe do të vazhdojnë të mbeten të pezulluara, dhe vazhdon të mbetet në fuqi edhe për dy javë ndalimi i grumbullimeve deri në dhjetë vetë”, tha Rakacolli.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico paralajmëroi sot se nuk është ende momenti për të ndryshuar masat aktuale që janë vendosur me qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit.
“Edhe pse ne kemi vazhduar me vaksinimin, një gjë duhet ta kemi të qartë që indikatorët kryesorë s’janë ulur në mënyrë drastike sa të jemi në periudhë për të konsideruar masa të një karakteri tjetër.
Edhe harta e Evropës tregon në mënyrë specifike për rritje të numrave si në Evropë dhe në Rajon”, tha Fico në mbledhjen e komitetit teknik të ekspertëve në 24 mars.
Sipas Albana Ficos, për periudhën 10-23 mars ka pasur një zbritje te rasteve pozitive “nga 418 në 268 për 100 mijë banorë”
“Pozitiviteti ka rënë, mesatarja ditore e reateve pozitive është ulur nga 654 në 532, numri total i rasteve aktive ka pësuar ulje gjithashtu. Bashkitë e prekura deri në 22 mars ka rënë nga 37 në 34. Mbetet raporti meshkuj femra i infeksionit 52 me 48, me fatalitete në grupin e meshkujve. Nga ana tjeter numri mesatar i të shtruarve në spital ka rënë në 394 nga mbi 400.Unë do vijoj të apeloj për masat”.