Simptoma që vazhdojnë edhe pas shërimit. Pasojat e mundshme afatgjata tek ata që preken nga Covid-19, ende përfaqësojnë një të panjohur të madhe në këtë fushë, për bluzat e bardha. Ditët e fundit, një studim i botuar në “The Lancet” u bazuar në 1,700 pacientë, të cilët ishin shtruar në spital në Wuhan. Në 76% të rasteve të ekzaminuara, të paktën një simptomë tek ata mbetej edhe 6 muaj pas negativizimit. Mjeku pneumolog Giuseppe Marvulli, konfirmon faktin se ka shumë raste pacientësh që vazhdojnë të kenë simptoma edhe pasi shërohen.
“Veç mjekimeve të rastit me antibiotikë, pas negativizimit po ofrohen dhe terapitë që ndihmojnë në rehabiltimin e pacientëve. Ato quhen terapitë e lëvizjeve. Në këto terapi përfshihet ajrimi, lëvizjet fizike, veçanërisht ato lëvizje që vën në veprim pjeët e sipërme të trupit, ku dhe në mushkri shkon edhe më shumë oksigjen. Në këtë mënyrë ne arrijmë që pacientët të kapërcejnë fazën e vështirësive që lë nga pas COVID-19. Po të vini re niveli i oksigjenit është rritur ndjeshëm tek personat që kanë ushtruar lëvizje fizike dhe janë ajrosur në ajër të pastër”, thotë ai.
Kjo fazë është edhe më e rëndësishme nëse marrim parasysh pasojat e mundshme në sistemin e frymëmarrjes dhe ato kardiovaskulare, ndaj dhe mjeku rekomandon ushtrimet fizike dhe ajrosjen.
Në këtë kuptim, rehabilitimi dhe fiziokinezoterapia mund të luajnë një rol të rëndësishëm, sipas mjekut. //Telebari