Kredia për blerjen e pasurive të paluajtshme po rritet me shpejtësi. Konkurrenca mes bankave është rritur dhe kreditë janë më të lira se asnjëherë tjetër. Sa janë normat e interesit, në çfarë monedhe ta leverdis të marrësh huanë.
Kriza provoi se tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri shpesh del jashtë skemave dhe projeksioneve më të pritshme. Kur ekonomia u pllakos nga kriza më e rëndë në 23 vjet, pakkush priste që tregu i pronave të vazhdonte të rritej.
Në kushtet e rënies së prodhimit kombëtar dhe të punësimit, ishte e pritshme që individët të shfaqeshin më të tërhequr në kryerjen e investimeve të mëdha, siç është blerja e një pasurie të paluajtshme. Edhe më tepër, kur bëhet fjalë që ky investim të mbështetet nga marrja e huave të mëdha dhe afatgjata, siç janë kreditë për shtëpi.
Por, statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitin e kaluar, familjet shqiptare morën 26.5 miliardë lekë, ose rreth 215 milionë euro kredi për blerje banesash.
Kredia për blerjen e banesave shënoi rritje për të tretin vit radhazi, duke shënuar madje edhe nivelin më të lartë të pesë viteve të fundit.
Rritja e kreditimit në këtë segment duket e destinuar të vazhdojë edhe këtë vit. Për 3-mujorin e parë, bankat dhanë 7.1 miliardë lekë kredi të reja për blerjen e banesave, në rritje me 41% krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit të kaluar.
Kredia për shtëpi, më shumë se 1 miliard euro
Sot kredia për blerje banesash nga individët është produkti kryesor i kredisë bankare për nga madhësia. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit mars, vlera e portofolit arriti në 129.7 miliardë lekë, ose 1.05 miliardë euro.
Krahasuar me një vit më parë, portofoli është zgjeruar me 6.4%; po ta zhveshim këtë shifër nga efekti i nënçmimit të përkohshëm të kursit të këmbimit në mars 2020, rritja vjetore e portofolit është më e madhe se 9%. Kjo rritje është afërsisht dy herë më e lartë se rritja mesatare e portofolit të kredisë për ekonominë në të njëjtën periudhë.
Në vitet e fundit, oferta e bankave për kredi për shtëpi ka qenë e lartë dhe konkurrenca në këtë segment të tregut është rritur. Vrojtimet e aktivitetit kreditues me bankat tregtare tregojnë lehtësim të vazhdueshëm të standardeve të kreditimit për këtë produkt.
Ky është një nga produktet më cilësore për bankat, sepse ka nivelin më të ulët të kredive me probleme. Nga 8% që është raporti mesatar i kredive me probleme për gjithë huanë bankare, për kredinë për blerje banesash, raporti është afërsisht pranë nivelit 4%.
Krahasuar me kredinë për biznesin, vlerat mesatare të huasë janë më të ulëta, gjë që mundëson shpërndarje më të mirë të rrezikut kreditor. Një faktor tjetër është rritja e çmimeve të pronave, që përkthehet edhe në një siguri më të lartë për vlerën e kolateralit.
“Kohët e fundit, shumica e bankave duket se kanë shtuar ofertat, rrjedhimisht dhe vëmendjen në drejtim të kredive për individë, sidomos atyre hipotekore. Një nga arsyet, besoj se është kërkesa në rritje nga individët, e ndërthurur me rrezikun më të vogël kreditor që ka kjo kategori në krahasim me bizneset.
Edhe rritja konstante e çmimeve ka bërë që bankat të jenë disi më të mbrojtura nga kolateralet që mbulojnë kredinë, duke qenë se rritja e vlerës siguron mbulim më të mirë” – thotë Redi Martiri, Drejtor i Departamentit të Shitjeve për Individë në Union Bank. Njëkohësisht, kredia për shtëpi është një produkt afatgjatë, që mundëson rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të portofolit të kredisë.
“Investimi në pasuri të patundshme është një nga opsionet e pakta që individët kanë për të investuar në Shqipëri, me qëllim maksimizimin dhe diversifikimin e portofolit të tyre të të ardhurave.
Këto nevoja të konsumatorëve janë në përputhje të plotë me rolin dhe misionin e bankës për të shërbyer si katalizator i ekonomisë, për të ndihmuar me likuiditetin e nevojshëm financiar, investimet e bëra nga individët, si dhe njëkohësisht për t’i shërbyer aktivitetit tregtar të vetë bankës” – thotë Klodiana Piqani (Keçi), Drejtuese e Divizionit të Shitjeve për Individë dhe Biznese të Vogla në Intesa Sanpaolo Bank Shqipëri.