Shqipëria sërish në arbitrazh, kërkohet një studio ligjore për mbrojtjen e interesave të vendit

Shqipëria duket se do të përballet sërish në arbitrazh, ndërsa ka çelur procedurat për pajtimin e një studioje të re ligjore.

Avokatura e Shtetit ka hapur katër procedura këtë vit, dhe kërkon studio ligjore vendase apo të huaja që do t’i asistojnë në mbrojtjen e interesave të vendit në arbitrazhet ndërkombëtare.

Procedura e fundit për kërkimin e një studioje ligjore është hapur në 14 korrik të këtij viti dhe shprehja e interesit mund të bëhet deri në datën 22 korrik.

Sipas “Monitor” Avokatura e Shtetit ka deklaruar se objekt i kontratës do të jetë përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të Republikës së Shqipërisë, në një proces arbitrazhi të iniciuar para Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC). Nuk bëhet ende e ditur se për çfarë çështje është kjo kërkesë e qeverisë.

Përveç kësaj dhome një pjesë e arbitrazheve të Shqipërisë janë në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID).

Arbitrazhet ndaj Shqipërisë viteve të fundit janë rritur në mënyrë të dukshme. Dy nga gjashtë çështjet i takojnë vitit 2020 dhe në total, dëmshpërblimi potencial për të gjitha llogaritet rreth 450 milionë euro. Vetëm pak kohë më parë Shqipëria humbi arbitrazhin me kompanitë “Aktor” dhe “Copri”.

Author: admin