Nga Artan Hoxha
Më 17 mars 2020 u raportua i vdekuri i parë nga COVID-19. Ngjarja ndodhi rreth një javë pasi filluan masat kufizuese e distancuese, më 9 mars 2020,veç dy javë nga dita kur në Parlament, më 2 mars, Kryerilindësi tallej me këdo që kërkonte maska.
Duke përfshirë edhe raportimet e datës 16 mars 2021, pas një viti të plotë, numri zyrtar i vdekjeve nga COVID-19 ka kapur shifrën 2077.
Bazuar në këtë raportim rilindas, në klasifikimin e Worldometer hyjmë në grupin prej 15 vendesh e territoresh, mes 48 të këtilla të kontinentit europian, me treguesin më të ulët të vdekjeve nga COVID-19 për 1 milion banorë.
Përgjatë vitit 2020 kemi qënë në pozicione edhe më të favorshme, deri edhe tek 5-6 vendet me treguesin më të ulët të këtyre vdekjeve.
Sukses Rilindas me duar në xhepa!
Përveç muajve mars – maj 2020, kur u vendosën e u zbatuan kufizime të ashpra, në pjesën tjetër të vitit kufizimet kanë qënë të buta deri të mesme kundrejt masave mjaft më të rrepta të ndërmara gjërësisht në Europë edhe në vjeshtë-dimër dhe aktualisht.
Ata me masa të rrepta më keq se ne.
Ne, pa e bërë qejfin qeder, shkëlqejmë. Por, shkëlqimi i suksesit rilindas mori fund kur ndërkombëtarisht filloi të vlerësohej, të diskutohej e të krahasohej gjërësisht shifra e vdekjeve shtesë të pazakonta (excess mortality).
Dyshimi filloi kur në tetor, INSTAT botoi shifrën e vdekjeve të tremujorit të tretë, e cila rezultonte me 1288 raste më shumë se tremujori i tretë i 2019-së (25% më shumë) kundrejt vetëm 322 rasteve të vdekjeve nga COVID-19 të raportuara zyrtarisht për këtë tremujor.
Të dhënat ende të pakta bërë publike (por jo të pakta për qeverinë ama) në atë kohë krijonin dyshimin por jo bindjen se gjendja reale ishte shumë e rëndë.
Rilindja heshti për vdekjet shtesë të pazakonta ndonëse e kishte të gjithë informacionin për ta analizuar më së miri e të informonte qartë e saktë publikun që në verë – vjeshtë. Kur nga mesi i nëntorit opozita deklaroi se vdekjet në spitalet COVID ishin thuajse sa dyfishi i deklarimeve zyrtare të vdekjeve me shkak COVID-19, rilindja u turr në sulm verbal duke përdorur si autoparlante, ca mjekë – shërbëtorë, gjoja të fyer në sedrën profesionale.
Në janar 2021, revista e mirënjohur “Monitor” mori zyrtarisht nga Regjistri i Gjendjes Civile të dhënat mujore e për çdo qark të vdekjeve në 2020-ën si dhe të viteve pararendëse, këto të dytat të dhëna edhe nga INSTAT.
Gazetarja profesioniste Ornela Liperi bëri llogaritjet.
Vdekjet shtesë të pazakonta të 2020-ës kundrejt 2019-ës dhe/ose mesatares vjetore shumëvjeçare rezultonin mbi 26% apo afro 6000 vdekje më shumë kundrejt një mesatareje shumëvjeçare prej diçka më pak se 22 mijë vdekje në vit.
Ky përfundim paraprak u konfirmua pas daljes së shifrave të INSTAT, nga mesi i shkurtit të 2021-it për tremujorin e katërt të 2020-ës dhe axhustimit të shifrave të tre tremujorëve të tjerë pararendës.
Krahasimi me vitin 2019 apo me mesataren 2, 3, 4 apo 5-vjeçare jepte rezultat afërsisht të njëjtë – rritje me rreth 26% të vdekjeve në 2020-ën dhe një numër prej rreth 5800 vdekjesh shtesë të pazakonta.
Sipas të dhënave të EUROSTAT-it si dhe nga institutet e statistikave të disa vendeve të veçanta, përpunuar nga Monitor (duke dhënë saktësisht burimin e të dhënave gjithashtu) ky tregues, shprehur në përqindje, e rendit Shqipërinë në krye të klasifikimit për keq mes vendeve anëtare dhe kandidate për anëtare të Bashkimit Europian e ndër 5-6 vendet me treguesin më të lartë të vdekjeve shtesë të pazakonta në gjithë kontinentin europian.
Përballë shifrës kaq të lartë të vdekjeve shtesë të pazakonta qëndron shifra e deklarimeve zyrtare të vdekjeve nga COVID, 1181 raste deri më 31 dhjetor 2020 apo rreth 5 herë më e vogël se vdekjet shtesë – raport gënjeshtre a zbukurimi ky i paparë në këtë vlerë në Europë.
Sa më i madh dështimi rilindës, aq më e madhe gënjeshtra e saj.
Në fakt, nëse do të kishim në përqindje po aq vdekje shtesë sa gjithë Italia, që i qamë hallin e i çuam infermierë, nuk do të kishim afro 5800 por më pak se 3800 vdekje shtesë e krahasimisht Italisë së Jugut apo të Mesme, me të cilat ngjasojmë më shumë, nuk do të kishim pasur as 1800 vdekje shtesë.
Le të ishim në përqindje sa Greqia – e do të kishim më pak se 2 mijë vdekje.
Qofte sa Kroacia apo Mali i Zi – e do të kishim më pak se 2600.
Qoftë sa Serbia 0 e do të kishim pasur më pak se 2900 vdekje shtesë.
Makar sa Maqedonia e Veriut apo Kosova, që të dyja në krizë qeveritare e zgjedhje të parakohshme në pikun e pandemisë të 2020-ës – e prapë dot kishim pasur më pak vdekje shtesë se ç’patëm deri në fund të 2020-së.
Por, ndonëse vdekja kishte pllakosur, Rilindja buzëqeshte. Pretendonte se si ajo, buzëqeshte e gjithë Shqipëria.
Ndërkaq, viti 2021 hyri edhe më i tmerrshëm.
Në 75 ditët e para të vitit 2021, deri më 16 mars u deklaruan 896 vdekje nga COVID kundrejt 733 vdekje të këtilla në 75 ditët e fundit të vitit 2020, periudha e pikut të vdekjeve në atë vit. 163 vdekje më shumë në 75 ditë apo 22% më shumë.
Duke konsideruar vdekjet shtesë të pazakonta nga 17 marsi 2020 deri më 16 mars 2021, rezulton se:
për shkak se vdekjet në muajt janar, shkurt dhe gjysma e parë e marsit të 2020-ës janë më të pakta se mesatarja respektive e viteve pararendëse, për periudhën 17 mars deri 31 dhjetor vdekjet shtesë të pazakonta rezultojnë mbi 6 mijë.
Bazuar në treguesit e Regjistrit Civil, botuar nga gazeta Panorama e më pas edhe nga Monitor, në muajt janar e shkurt të 2021-it, vdekjet shtesë të pazakonta duhet të jenë shtuar me të paktën 2 mijë të tjera, ndoshta edhe me 2500;
Për 16 ditët e marsit 2021, ndërsa janë deklaruar zyrtarisht 281 vdekje nga COVID, me koeficientin rilindës të gënjeshtrës, të provuar në vlerën prej 4-5 herë, vdekjet shtesë kanë kaluar të paktën 1 mijë raste, ndoshta 1300; pra gjithsej jo më pak se 9 mijë vdekje shtesë të pazakonta në 365 ditë nga vdekja e parë COVID e ndoshta ndoshta, jemi më prane shifrës 10 mijë. Pra, të paktën 40% e ndoshta 45% vdekje shtesë të pazakonta në një vit të plotë pandemik që nga vdekja e parë nga COVID në Shqipëri.
Krahasimisht vendeve të tjera të kontinentit europian, në 365 ditë nga vdekja e parë me COVID-19 respektive e secilit, vështirë se ka një të dytë vend që të ketë arritur treguesin e frikshëm të Shqipërisë sonë të rilindur që buzëqesh.
Me Rilindjen thyerja e rekordeve është e garantuar. Për keq e për dreq.