Shqipëria u rendit e pesta në Europë sa i përket peshës së lartë të vdekjeve nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut (zemra, tensioni), pas Bullgarisë, Rumanisë, Lituanisë dhe Letonisë.
Me zemër më të dobët në Europë janë bullgarët, ku 66% e totalit të vdekjeve erdhi nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut, të ndjekur nga Rumania (58%), Lituania (57%), Letonia (55%) dhe Shqipëria (53.7%). Pas Shqipërisë renditet Serbia me 51.9%.
Të dhënat për vendet e BE-së dhe disa shtete të tjera janë dhënë nga Eurostat, dhe i referohen vitit 2017, për Shqipërinë nga INSTAT, ndërsa përpunimi i shifrave të Eurostat dhe krahasimi është bërë nga “Monitor”.
Në vitin 2019, në Shqipëri, nga sëmundjet e qarkullmit të gjakut ndodhën 53.4% e vdekjeve, me një rënie fare të lehtë në raport me 2017-n.
Në Europë, peshën më të ulët të vdekjeve nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut e kanë Danimarka (23.4%), Mbretëria e Bashkuar (25.1), Holanda (25.7).
Për vdekjet nga tumoret, Shqipëria, së bashku me Bullgarinë, renditet në fund, duke pasur peshën më të ulët, me rreth 16% të totalit të humbjeve të jetëve. Rekordin e mbajnë Slovenia dhe Holanda, me rreth 31-32%.
Sëmundjet respiratore janë shkaku i tretë i vdekjeve në Europë, por në Shqipëri ka nivelin më të ulët me 2.9% të totalit. Rekordin e mban Mbretëria e Bashkuar, me rreth 14%.
Qytetet me zemër më të dobët në vend, rriten vdekjet te meshkujt e rinj
Jeta sedentare, dieta e pakontrolluar dhe ekspozimi i lartë ndaj alkoolit dhe ndaj duhanit po i vret shqiptarët dhe më së shumti meshkujt që çdo vit e më shumë po humbasin jetën nga infarktet dhe goditjet në tru. Alarmante është ulja e moshës së vdekshmërisë nga kjo sëmundje për meshkujt nën moshën 50 vjeç. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se më 2019-n kanë humbur jetën nga sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut 32 persona në ditë.
Në total 11,704 persona kanë humbur jetën nga zemra ose tensioni, ose 53% e totalit të vdekjeve natyrale.
Meshkujt përbëjnë dhe përqindjen më të lartë të humbjes së jetëve nga kjo sëmundje, me 51.5%, përkundjet 50% të grave.
Në vitin 2019 është konstatuar një rritje e lartë e vdekshmërisë nga zemra dhe tensioni në grupmoshën e meshkujve 45-49 vjeç (+17%) dhe 55-59 vjeç (+4.6%)
46% e vdekjeve të meshkujve nga kjo sëmundje ishin të grupmoshës nga 40-59 vjeç, kundrejt 43% që ishte një vit më parë.
Mjekët pohojnë se vdekjet më të larta tek meshkujt i atribuohen stilit te jetesës më së shumti. Doktor P. Malaj thotë se, meshkujt janë të ekspozuar më shumë ndaj pirjes së duhanit, alkoolit, dietës së pa kontrolluar dhe punëve të rënda që rëndojnë sëmundshmërinë dhe sidomos sëmundjet e qarkullimit të gjakut.
Në të gjithë vendin, në 2019-n kishte 4.1 vdekje për 1000 banorë, për sëmundjen e aparatit të qarkullimit të gjakut, me një rritje të lehtë në raport me 4, që ishte ky tregues një vit më parë.
Sipas qarqeve, qyteti me vdekjet më të larta nga zemra dhe tensioni, në raport me popullsinë është Berati, me 5.3 vdekje për 1000 banorë, me rritje në raport me vitin e mëparshëm (shih grafikun).
Në vend të dytë ka kaluar Shkodra, e cila ka shënuar një rritje të lartë të humbjeve të jetës nga zemra dhe tensioni në 2019-n (+8%), me 77 jetë të humbura më shumë, duke u ngjitur në 5.3 vdekje për 1000 banorë, nga 4.8% që ishte ky tregues vitin e mëparshëm.
Më pas renditen Korça e Gjirokastra (5.1 secili) , Vlora (4.9), Dibra (4.4). Zemrën më të fortë e kanë tiranasit (3.5 vdekje për 1000 banorë), durrsakët (po 3.5) dhe elbasanllinjtë (3.4).
Marrë nga Monitor