Policia e Kavajës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Shëtitësit e natës” duke zbardhur 10 vjedhje dhe arrestuar një 26-vjeçar. Po kështu është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjes së pronës, zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Shëtitësit e natës”. Falë veprimeve të shpejta dhe të mirorganizuara arrestuan në flagrancë shtetasin:
D. B., 26 vjeç, banues në Laç, si dhe shpallën në kërkim shtetasin E. D., 29 vjeç, banues në Rrëshen.
Këta shtetas, gjatë orëve të para të mëngjesit të datës 06.07.2021, në Vorrozen, Kavajë, kanë vjedhur makinën në pronësi të shtetasit S. B., e cila u gjet dhe u sekuestrua në Fushë-Gjormë, Laç.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se gjatë muajve maj, qershor dhe korrik, këta shtetas kanë vjedhur sende me vlerë, shuma parash dhe orendi shtëpiake në 9 banesa, konkretisht:
Më datë 27.05.2021 kanë vjedhur në banesën e shtetasit I. P.; më datë 22.05.2021 kanë vjedhur në banesën e shtetasit L. Ç.; më datë 22.06.2021 kanë vjedhur në banesën e shtetasit N. K.; më datë 17.06.2021 kanë vjedhur në banesën e shtetasit A. Sh.; më datë 17.06.2021 kanë tentuar të vjedhin në banesën e shtetasit G. B.; më datë 16.06.2021 kanë vjedhur në banesën e shtetasit Sh. C.; më datë 14.06.2021 kanë vjedhur në banesat e shtetasve V. H. dhe K. Ll; më datë 03.07.2021 kanë vjedhur në banesën e shtetasit Z. Ç.
Vijon puna për dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve të banesave, të kryera nga këta shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.