Mbrëmjen e djeshme në emisionin “Opinion”, u shfaq ish kryeministri Fatos Nano.
I krehur dhe zbukuruar deri në detaje, ku spikatnin flokët dhe mjekrra me një ngjyrë të kadifenjtë, siç ka qenë moda kur ai ishte kryeministër, Fatos Nano u ul përballë Blendi Fevziut, duke marrë plot dy orë vëmendje në një televizion kombëtar, çaste këto të rralla tashmë në jetën e ish kryeministrit.
Ky rrëfim i stisur në formën e një “intervistë jete”, siç ka filluar Fevziu t’i quajë intervistat me personazhe politike të njohur, apo edhe ata të kthyer tashmë në relike, në fakt, rezultoi një përpjekje e ish kryeministrit, për t’i dhënë një dorë të fundit Edi Ramës, tek elektorati socialist, pikërisht në ditët kur ai ka nevojë më shumë se kurrë.
Gjatë të gjithë intervistës të ndërtuar po me kaq kujdes shërbimor nga Blendi Fevziu, ashtu siç di t’i ndërtojë vetëm ai, Nano vërtitej nga sharja e kundërshtarëve të Ramës, tek përcaktimi i shtatë mëkateve biblike të Ilir Metës, që i ka zënë postin, që ai ëndërron më shumë në jetë dhe sigurisht, tek lavdet për kryeministrin.
Edhe pse dikur shfaqej i mllefosur, që kishte sjellë nga Parisi krijesën e tij, me “thonj të paprerë”, sot Fatos Nano deklaron të kundërtën, se nuk është penduar aspak, që e ka futur Edi Ramën në rrugën e politikës.
“Nuk jam penduar sepse në tërësinë e vet Rama ka dhënë një produkt shumë të vlefshëm në politikë“, deklaroi me bindje Fatos Nano për herë të parë.
Si të mos mjaftonte kjo lajkë monumentale, Nano e quajti Edi Ramën një politikan “të maturuar” dhe që nuk mund të gabojë sepse ka një staf të mirë, “që nuk e lë të gabojë”!!!
Këtu, besojmë se nuk mbeti shqiptar, pa u çuditur dhe tronditur thellë.
“Rama ka një ekip që vërteton përputhjen me ligjin, të vendimeve që merr, që nuk bëhet më i mirë sot. Edhe sikur Rama të marrë urdhra nga ato të fillimit, që nuk e njihte ligjin etj, etj, nuk e lë ekipi ta bëjë“, tha Nano.
Kur Fevziu e pyet për akuzat e shpeshta që i bëjnë Edi Ramës për korrupsion, përgjigja e ish kryeministri është: “E kush nuk ka zhurmë vallë, për akuza me korrupsionin në Shqipëri?“. Dhe në fakt për këtë të fundit, nuk mund të themi që ish kryeministri është një i paditur. E kush më mirë se ai, i njeh punët e korrupsionit në këtë vend?!
Por përtej kësaj shfaqje tek Fevziu, kush është sot Fatos Nano?
Në fakt, mund të themi se jeta ka qenë mjaft bujare me të.
Ish kryeministri i një prej vendeve më të varfra të Europës, jeton sot i zhytur në luks, në mesin e njerëzve më të pasur të vendit. Ai endet mes kryeqyteteve të Europës dhe resortit elitar në periferi të Tiranës. Lundron mes kujtimeve për lavdinë e të shkuarës së largët, kur kishte në dorë fatet e vendit.
Herë pas here, Fatos Nanos bëjnë sikur i rikthejnë shpresën dhe e lejojnë të ëndërrojë, se një ditë do të bëhet President i vendit. Dhe pikërisht këtu i shkreti, lë dyert e vesit, në rolin e Kumarxhiut të Dostojevskit, bëhet gati dhe vesh në mendjen e vet petkat e Presidentit.
Por, gjasat janë, që rrëfimi i mbrëmshëm, në studion e Fevzos, që ky i fundit do t’a koleksionojë si një “intervistë jete” dhe me siguri do ta fusë në ndonjë nga librat e ardhshëm, të jetë kulmi i aktiviteteve publike të Fatos Nanos, për këtë vit zgjedhor dhe pandemik.