Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri rikthehet përpara gjykatës. Ai do të përballet tashmë në Gjykatën e Lartë e cila ka hedhur shortin dhe relator i çështjes është caktuar ish-kreu i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni. Ky do të zëvendësojë Ilir Pandën në rishqyrtimin e çështjes në muajin korrik.
“Telenovela” e Tahirit në gjykata nisi në tetor të vitit 2017 kur në Itali u arrestuan kushërinjtë e tij të fisit Habilaj të akuzuar për trafik droge.
Në mars të 2019-ës nisi ndaj tij gjyqi në shkallën e parë që në shtator të po atij viti me 3 vite në shërbim prove, periudhë në të cilën ish-ministri nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale dhe i ndaloi ushtrimin e funksioneve publike për 3 vite. Gjykata rrëzoi akuzat e prokurorisë për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe e dënoi atë vetëm por shpërdorim detyre.
Në korrik të 2020-ës gjykata e Posaçme e Apelit e rrëzoi vendimin e shkallës së parë me argumentin se ish-ministri u dënua për një vepër penale për të cilën nuk ishte hetuar dhe e ktheu çështjen në shkallën e parë. Tahiri e bëri rekurs në Gjykatën e Lartë duke kërkuar pafajësi. I mbetet gjykatës së lartë tashmë të vendosë nëse Tahiri do të rinisë edhe një herë procesin nga shkalla e parë.