Pas një shkëputjeje disavjeçare nga televizioni, Eneda Tarifa na habiti të gjithëve shtatorin e kaluar kur deklaroi se do të rikthehej në ekran.
Ky lajm do të bënte akoma dhe më shumë bujë në shtypin rozë pasi i menjëhershëm ishte edhe largimi i Xhemi Shehut nga Top Channel, duke shtuar zërat se dy lëvizjet mediatike ishin të lidhura me njëra-tjetrën.
Dashurisë Portokalli të Enedës i ka ardhur fundit, dhe këtë na e konfirmoi dje vetë ajo në një postim në Instagram ku thotë:
“Më duhet t’ju njoftoj se rrugëtimi im në spektaklin ‘Portokalli’ përfundon këtu. U riktheva me mall në atë skenë kur m’u propozua nga drejtuesit dhe në një farë mënyre ‘e nxorra mallin…’ kur i thonë një fjale. Por është momenti që të sjell në jetë projektet e mia pa më ‘shitur’ dhe pa më ‘blerë’ dikush (sikurse shkruhet në disa portale) dhe vazhdoj të jap kontributin tim artistik në këtë vend.”
Në një intervistë për Revista Class të publikuar më 14 shkurt, Eneda u shpreh:
“Thonë se nuk të shkon mbarë nëse rikthehesh në të njëjtin vend pune pasi je shkëputur një herë, por kush e vlerësoi këtë teori si absolute? Steve Jobs e bëri, kështu që secili prej nesh mund ta bëjë dhe të gjejë një pjesë të shtëpisë që ka lënë, gjysmën e zemrës, të miqve, bashkëpunëtorëve dhe të mos ndihet kurrë i huaj, as i përjashtuar, as i lënë mënjanë, përkundrazi, i mirëseardhur në një vend ku, më shumë se gjithçka, të mban gjallë hareja dhe gëzimi i familjes së madhe – si Portokallia.”