Kërkimet e policisë për gjetjen e trupit të pajetë të Jan Prengës, i cili u rrëmbye janarin e 2020 në Kamzë, nuk kanë dhënë rezultat, e megjithatë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar finalizoi hetimet për dy prej të dyshuarve për krimin tronditës dhe i dorëzoi gjykatën dosjen penale ndaj tyre.
Bëhet fjalë për Festim Bexhdilin, kopshtar i resortit luksoz Hajri, si dhe Olsi Turjan, ndaj të cilëve rëndon akuza e rrëmbimit kryer në bashkëpunim, me pasojë vrasjen e babait të 3 fëmijëve. Bexhdili është i vetmi që mbahet në paraburgim për rrëmbimin, torturimin dhe më pas vrasjen e 49-vjecarit Jan Prenga, ndaj burime pranë SPAK, konfirmuan se hetimet për të dhe Turjan u finalizuan dhe ndaj tyre u ngritën akuzat zyrtare, përderisa afatet e paraburgimit ishin drejt përfundimit. Olsi Turja është liruar me herët, por megjithatë ai do të ulet në bankën e të akuzuarve me Bexhdilin, për të nisur përballjen me drejtësinë.
Burime pranë SPAK thanë se për të dyshuarit e tjerë hetimet vijojnë, përderisa konsiderohen komplekse dhe do të kërkojnë më shumë kohë. Jan Prenga u rrëmbye në Kamzë nga 4 persona të cilët e futën në një makinë luksoze dhe u zhdukën pa gjurmë. Nga hetimet e deritanishme, rezulton se rrëmbimi i tij u urdhërua pas grabitjes së sasisë prej 260 kg kokainë nga vëllai i Janit, Astrit Prenga në Britaninë e Madhe. Porositës i krimit, dyshohet të jetë Gentian Docaj Fuqini nga Shkodra, i cili kontaktoi vëllezërit e pengut, dhe iu kërkoi ti kthehej malli, në këmbim të jetës së Janit.
Familja Prenga u kontaktua edhe nga Dritan Rexhepi, i cili ndodhet në burg në Ekuador dhe që sipas hetimet rezulton të jetë personi që organizoi nisjen e sasisë së madhe të kokainës që u zhduk nga porti I Portsmoouth në Angli. edhe pse Astrit Prenga ktheu një pjesë të madhe të kokainës dhe pagoi një shumë të madhe paundësh britanikë, Jan Prenga nuk iu kthye familjes, ndaj Dritan Rexhepi iu rrëfeu vëllezërve të pengut emrat e rrëmbyesve. Sipas policisë, ai është dërguar i pajetë në resortin Hajri në pronësi të Altin hajrit dhe u nxor me një furgon të bardhë e dyshohet të jetë groposur në atë zonë./ BW