Pasagjeri “VIP” në makinë me Alket Rizain, që u prangos në Greqi pak ditë më parë në Lamia ka dalë sot para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.
45-vjeçari i njohur me pseudonimin “Taqi shqiptari ose Notis grek” para gjykatës ka mohuar akuzat për vrasje, gjobëvënie dhe vepra të tjera penale.
I shpallur në kërkim mes të tjerash për atentatin e tetorit 2017 në Glyfada ku mbeti i vdekur një biznesmen shqiptar dhe u plagosën dy të tjerë, 45-vjeçari i ka mohuar akuzat.
Pretendimi i tij ishte se nuk ka asnjë lidhje me atentatin në Glyfada. Sidoqoftë, prokurori dhe gjyqtari nuk u bindën nga pretendimet e tij duke e lënë në burg.
Emri i 45-vjeçarit është përfshirë në disa raste të tjera vrasjesh dhe grabitjesh dhe konsiderohet si një nga kriminelët më të rrezikshëm, ndërsa kohët e fundit ndaj tij u lëshua një urdhër arresti për gjakderdhjen në Glyfada.
Ai u arrestua pas një kontrolli të rastësishëm policor disa ditë më parë në Lamia dhe ndërsa po udhëtonte në një makinë luksoze me të burgosurin Alket Rizai, i cili kishte marrë një leje pesë-ditore nga burgu Domokou.
Kush është Alket Rizai
Alket Rizai është mjaft i famshëm në Greqi për arratisjet e tij nga burgu.
Në vitin 2006 dhe 2009, në bashkëpunim me të dënuar të tjerë grekë, arriti të arratisej nga burgu më i sigurt i Greqisë, ai i Koridhalosit, duke përdorur helikopter.
Më pas, tentoi arratisjen e tretë, duke marre peng 6 policë të burgut të Malandrinos. Ai është dënuar me 25 vjet burg për disa vepra penale.
Arratisja e parë e stilit hollivudian, u krye më 4 qershor të vitit 2006, e ideuar nga Nikos Paleokostas, vëllai i një krimineli me famë, Vasilis Paleokostas.Tpz.al