Ronela Hajati ishte e ftuar sot në “Soiree” në ABC për të folur për albumin e saj të parë “Rron” si dhe për detaje nga jeta personale.
Deri tani nga albumi janë publikuar 3 këngë: “Prologue”, “Shumë i mirë” dhe “Aventura”, ndërsa ka treguar se në fillim të korrikut do të publikojë sërish këngë.
Ronela ka zbuluar se dy nga këngët e albumit do të jenë bashkëpunim me dy reperë nga Kosova, me Vig Poppën dhe Bardhin.
“Unë albumin e kam ndarë në dy pjesë. E para do jetë në fillim të korrikut derisa të fillojë vera tamam dhe nuk dëshiroj që gjatë gushtit të nxjerr këngë të reja, sepse dua që njerëzit të mësojnë këto prodhime që po nxjerr dhe më pas t’i shijojnë gjatë verës. Pjesa e dytë do të fillojë pas shtatorit deri në fund të vitit. Kam dhe tre këngë të tjera që do nxjerr, dy prej të cilave janë bashkëpunime me reperë nga Kosova. I pari është Vig Poppa dhe i dyti është Bardhi që është një reper i ri, por është shumë i talentuar. Më pëlqejnë shumë që të dy janë emra shumë të mirë dhe që kanë talent dhe shkruajnë vetë dhe shkruajnë mirë, sepse kjo ka shumë rëndësi, që ti të marrësh një lloj ndjesi të mirë aq më tepër kur je në studio. Këtë vibe e kam marr absolutisht 100% nga të dy. Mendoj që janë këngë vërtet të mira. Njëra nga ato është një remake i një kënge të vjetër shqiptare që unë e dua shumë me Vig poppen. Ndërsa me Bardhin nuk është këngë club-esh, por një këngë shumë e mirë”, është shprehur Ronela Hajati.