Shërbimi Informativ i Shtetit në raportin e publikuar thekson se gjatë vitit 2020, ka administruar një buxhet në shumën 1,69 miliard lekë nga 1,63 miliard vitin e kaluar. “Për periudhën 2017 deri më 2020, trendi buxhetor është në rritje, duke përballuar në këtë mënyrë, kërkesat në rritje për fonde, si përgjigje ndaj veprimtarive më të sofistikuara që cenojnë sigurinë kombëtare” thuhet në raport.
Në çdo vit, pjesën më të madhe të buxhetit të SHISH-it e zënë shpenzimet për paga dhe sigurime për personelin, si “një faktor i rëndësishëm për motivimin dhe përthithjen e kategorive më efektive të burimeve njerëzore. Në vijim të aplikimit të politikave për nxitjen e burimeve njerëzore, në vitin 2019, me VKM nr.259, datë 24.04.2019, pagat në SHISH patën një rritje rreth 17.7%”.
Por sa rekrutime janë bërë për vitin 2020?
Shërbimi Informativ i Shtetit shprehet se për vitin 2020 kanë aplikuar gjithsej 277 veta për t’u pranuar si inspektorë. “Në testimin me shkrim u miratuan për të marrë pjesë gjithsej 244 aplikantë që plotësonin kriteret e parashikuara ne urdhrin e Drejtorit të SHISH-it. Morën pjesë në testimin me shkrim gjithsej 231 aplikantë.
Në testimin me gojë morën pjese 111 kandidatë. Vlerësimi përfundimtar u bazua në pikët e marra në dy fazat e testimit, pra u mor si vlerësim përfundimtar shuma e pikëve të testimit me shkrim dhe testimit me gojë, për secilin aplikant. Në përfundim të procesit, aktualisht vazhdojnë kursin bazë 9-mujor për inspektorë 44 kandidatë” thuhet në raport.
Por cili është roli i grave në këtë institucion?
SHISH thotë se prej vitesh, situata në çështjet e inteligjencës e të sigurisë kombëtare, për sa i përket ndarjes së roleve, ka ndryshuar, duke mos qenë më punë ekskluzivisht për burra. “Gradualisht, koleget tona, jo vetëm janë shtuar në numër brenda radhëve të Shërbimit Informativ të Shtetit, por kanë marrë gjithnjë e më tepër përgjegjësi ndër më të spikaturat”.
SHISH-i deklaron se bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, duke promovuar dhe emëruar në pozicione të rëndësishme drejtuese zonja. “Aktualisht, 25% e numrit total të punonjësve të SHISH janë gra ndërsa, për herë të parë, kemi 30 zonja në pozicione drejtuese, numër ky dy herë më i lartë krahasuar me pak vite më parë”.
Në raport thuhet se vizioni i drejtuesve është që ky proces të vijojë pa ngurrim e pa paragjykime, mbështetur në strategji e plane veprimi, për ta pasuruar shërbimin me gra e vajza të përkushtuara për t’u bërë pjesë e misionit tonë./ABC