Kryeministri Edi Rama ka inspektuar nga afër dy çadrat në Sheshin Skënderbej, ku po kryhet vaksinimi i të moshuarve me vaksinën “Sinovax”.
Kreu i qeverisë, në një prononcim për mediat u shpreh optimist për vaksinimin, ndërsa tha se gjysmë milioni shqiptarë do të vaksinohen brenda majit.
“Brenda majit, gjysmë milioni shqiptarë të vaksinuar. Kam bindjen e plotë se do të ecim shumë shpejt. Kemi siguruar sasi të konsiderueshme.
Besoj shumë që ky sezon turistik do të jetë shumë i lehtësuar si rezultat i këtyre goditjeve që i bëhet zinxhirit të infektimeve. Mbetemi të bindur që deri në pranverën e ardhshme do të jenë vaksinuar të gjithë.
Por ministrja nuk më lë ta them, por unë mendoj se do të vaksinohen më parë.
Do të ketë vaksinime në katër turne, dhe njerëzit janë të lirë të zgjedhin nëse do të vaksinohen. Për ata që vijnë në Shqipëri nuk do u kërkohet që të kenë bërë vaksinën.”, tha Rama.