“25 prilli është dita që do të ndajë nëse Shqipëria do t’i kthehet shqiptarëve apo do të vazhdojë të jetë çiflig siç ka qenë në këto tetë vite, në duart e një njeriu të vetëm. Rama u bë gazi i botës, e treta fushatë që premton ujin e pijshëm.
Përse nuk u bë? Nuk kishte para? Kjo nuk është e vërtetë. Miliarda para janë hedhur për luks apo fasada.”
Kështu deklaroi sot Lulzim Basha gjatë një takimi me përfaqësues të komunitetit të ardhurve në Durrës.
Basha u shpreh se qeveria Rama në këto tetë vite ka keqqeverisur vendin duke sjellë kosto të rënda ekonomikë në vend.
Pjesë nga fjala e Bashës:
Zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra, të rinj dhe të reja, djem dhe vajza, banore dhe banorë të Durrësit dhe Durrësit të ri, faleminderit për mbështetjen tuaj! Për më shumë se një orë kam bashkëbiseduar me përfaqësues të komuniteteve të ndryshme të Durrësit të ri, brenda këtu, ja ku janë disa prej tyre.
Dhe prej më shumë se një orë bashkëbisedim nuk na është ndarë brohoritja dhe entuziazmi juaj!
Shprehja më e qartë e padurimit të Durrësit dhe të durrsakëve për ndryshimin që po vjen më 25 prill për Durrësin dhe mbarë Shqipërinë.
Vëllezër dhe motra, unë e di se problemet e mëdha që kanë pllakosur në familjet tuaja, janë shumëfishuar për 8 vite, se kriza e këtyre 8 viteve është rënduar nga tërmeti dhe pandemia dhe se shteti nuk ka qenë asnjë ditë në krahun tuaj, por gjithmonë kundër jush!
Se kryeministri në ikje, kurrë nuk ka parë mundësinë për t’ju ndihmuar dhe për t’u trajtuar si qytetarë dinjitoz e taksapagues të ndershëm të këtij vendi.
Vuajtja juaj, vuajtjet tuaja, vuajtjet dhe sfidat e baballarëve dhe nënave, shqetësimi për fëmijët tuaj ka qenë motivimi sa herë kam qenë në shtëpitë tuaja, sa herë kam biseduar me sipërmarrjen dhe biznesin e vogël apo fermerët e kësaj zone.