Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili i bëri një panoramë të përgjithshme situatës së pandemisë në vend.
Në një deklaratë për mediat ai tha se qeveria duhet të bëjë një menaxhim më të mirë të situatës, për të ulur rastet e infektimeve dhe vdekjeve.
Mes rreshtash, ai citoi se kryeministri Rama i ka lënë Shqiptarët në ditët e tyre më të vështira.
Deklarata e plotë e Petrit Vasilit:
Të nderuar qytetare dhe qytetarë,
Të gjithë ju jeni dëshmitarë e po përballeni në mënyrë të përditshme me pandeminë. Në mënyrë të natyrshme, të gjithë presin përgjigje nga qeveria, që ka detyrën të mbështesë e të ndihmojë qytetarët në këtë moment tepër të vështirë.
Qytetarët nuk kanë nevojë për fjalë boshe, si ato që dëgjuan edhe pak minuta më parë, dhe njëkohësisht nuk kanë nevojë më për masa shtrënguese apo kufizime qartësisht politike dhe elektorale. Janë masa shtrënguese politike dhe elektorale, pasi efekti i tyre ka qenë pothuajse zero.
Shqipëria është një vend ku shifrat e pandemisë kanë njohur vetëm rritje dhe nuk kanë pasur kurrë, ashtu sikurse gjithë vendet e tjera, të cilat kanë marrë masa të zgjuara, shkencore, të koordinuara, pra jo vetëm mbyllje, por të gjithë masat e tjera, bazuar në trinomin testim – gjurmim – trajtim dhe masa të tjera suplementare shumë të rëndësishme, të cilat kanë dhënë efekt.
E kundërta ka ndodhur në Shqipëri, sepse Shqipëria, për shkak të qeverisjes dhe për shkak të një kryeministri të paaftë e të pashpirt, ka aplikuar vetëm shtrëngime pa asnjë kuptim, pa asnjë vlerë, faktet e të cilave flasin vetë.
Ndërkohë që qeveria raporton se situata është nën kontroll, një shprehje e çmendur që po dëmton shqiptarët në mënyrë katastrofike, Shqipëria shënon në shtatë ditët e fundit mesataren javore më të lartë të vdekjeve, 16.5 vdekje në ditë, sipas vdekjeve të deklaruara nga qeveria, kur dihet më së miri që edhe këtu ka një problem shumë të madh serioz midis raportimit të tyre. Vetëm dje ka pasur 19 vdekje dhe mbi 1 mijë të infektuar të rinj, të deklaruar. Të infektuarit e vërtetë janë shumë më tepër.
Shqiptarët nuk presin të dëgjojnë pallavra të orës 6, të orës 8, të orës 9, të orës 11, të orës 12 e të tjera, sepse i kanë dëgjuar dhe i kanë provuar. Shqiptarët presin ndihmë ekonomike të drejtpërdrejtë për rimbursimin e barnave dhe shërbimeve shëndetësore, të mijëra qytetarëve që trajtohen në banesat e tyre dhe janë të infektuar me Covid-19.
Janë më mijëra shqiptarë, të cilët harxhojnë qindra – mijëra deri në miliona lekë për trajtimin bazal për Covid-in, e për fat të keq, ka edhe qindra të tjerë që nuk e marrin dot as këtë mjekim bazik, sepse mundësitë e tyre ekonomike janë krejtësisht të pamundura, janë absolute, janë në një varfëri që nuk i krijon mundësinë as edhe të kurohen.
Pra, të kenë mundësinë të jetojnë. Këta njerëz të varfër janë destinuar të presin dhe të jenë nën mëshirën e sëmundjes, pa i bërë dot asgjë asaj, pasi nuk kanë të zgjidhur mbijetesën, ushqimin e përditshëm, e jo më barnat.
Janë të qarta e të ditura çmimet e barnave, që përdoren nga qytetarët në banesë e që shkojnë në qindra e mijëra lekë në ditë, përveç shërbimeve mjekësore suplementare, si: shërbimi infermieror, oksigjeno-terapia që përdoret në familje e për këtë shqiptarët duan ndihmë.
Asnjë lek i vetëm për këtë çështje. Mbi 120 milion euro kanë dalë e dalin nga xhepat e shqiptarëve përditë për të përballuar këtë problem shumë të rëndë shëndetësor, i cili është njëherazi një tragjedi ekonomike, ndërkohë që as 100 e ca mijë euro nuk janë shpenzuar nga shteti për të rimbursuar recetat për të sëmurët në banesë. Pra, as 1 të njëmijtën e problemit shteti nuk e merr përsipër.
Asnjë ndihmë ekonomike për qindra e mijëra biznese, të cilat duke u mbyllur, duke u reduktuar aktiviteti i tyre totalisht kanë bërë që të ketë një papunësi të shtuar dhe të gjithë këta mijëra shqiptarë të papunë, sigurisht që nuk mund të përballojnë dot as pandeminë.
Pra, sot është koha që qeveria të heqë dorë nga këto milionat që u jep koncesioneve, që paguan për inceneratorë, që paguan për zyra, por të paguajë për shqiptarët që vuajnë e po humbasin jetën, e po u dëmtohet shëndeti, pasi komplikacionet pas-Covid janë një problem shumë i madh për shkak të kurimit të paplotë.
Kjo situatë po shndërrohet në mënyrë të përditshme në një tragjedi shëndetësore dhe shoqërore, pasi dhe ata shqiptarë fatlumë që e kapërcejnë pandeminë kanë frikë të shikojnë të nesërmen e tyre për shkak të borxheve ku kanë hyrë dhe ku pamundësia për ti larë ato është thuajse absolute. Solidariteti i shqiptarëve e bëri mrekullinë, 120 milionë euro dolën nga xhepat e tyre.
Shqiptarët nuk mbajnë më, shqiptarët nuk mund të shikojnë grupe të falimentuara pseudospecialistës, zëdhënës të qeverisë të cilët flasin e këpusin broçkulla me kufizime oraresh pa asnjë vlerë, që kanë treguar se janë një dështim i plotë. Presin të dalë kryeministri i tyre, ky llafazan profesionist që bën poza para një kutie vaksinash dhe që ndan shqiptarët në ata që mund ta bëjnë dhe ata që s’duhet ta bëjnë jashtë çdo kriteri shkencor.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për këtë. Shqiptarët kanë nevojë për një trajtim profesional, të bazuar, të masave efikase, që opozita i ka propozuar dhe nuk do të lodhet së propozuari për të mirën e shqiptarëve sepse kemi pasur një plan shumë të qartë shëndetësor dhe social i cili përballonte pandeminë në dy drejtime, atë shëndetësor dhe atë shoqëror dhe ekonomik. Koha na dha të drejtë, që kishim shumë të drejtë në atë plan.
Tragjedia po konsumohet në sy të të gjithëve. Vetëm për interesa politike dhe elektorale të Ramës shqiptarët sot janë në mjerim, në një fatkeqësi shëndetësore dhe ekonomike. Opozita do vazhdojë ta bëjë detyrën e saj pa u lodhur, duke treguar se cila është rruga e drejtë se ku duhet të ecë trajtimi i pandemisë, qoftë në pikëpamjen mjekësore dhe pandemike.
Njëherazi të gjithë shqiptarët e kanë të qartë që njeriu që i la vetëm ishte Edi Rama. I la vetëm shqiptarët në ditën e tyre më të vështirë. Ne jemi këtu për të bërë detyrën tonë, nuk do të lodhemi, por besoj se përgjigjen përfundimtare këtyre njerëzve që mendojnë vetëm për xhepat e tyre, oligarkët, klientët, kjo përgjigje do të merret në 25 prill.