Disa masa për të luftuar pandeminë kanë përkeqësuar nivelin e pabarazisë në Evropë dhe Azinë Qendrore, thuhet në një raport të organizatës për të drejtat e njeriut, Amnesty International.
Një numër i qeverive, sipas raportit, e përdorën krizën e pandemisë “për marrjen e pushtetit, minimin e lirive dhe si një arsye për të injoruar obligimet për të drejtat e njeriut”.
Në raportin për të drejtat e njeriut në botë, organizata thekson se masat e qeverive ndaj pandemisë “ekspozuan përjashtimin shoqëror, pabarazinë dhe mbivlerësimin e shtetit”.
“Afër gjysma e të gjitha vendeve në rajon kanë vendosur gjendje të jashtëzakonshme në lidhje me COVID-19 dhe qeveritë kanë kufizuar të drejtat e tilla si liria e lëvizjes, shprehja dhe tubimet paqësore”, shpjegon Amnesty International.
Zbatimi i izolimit dhe masave tjera të shëndetit publik , thuhet në raport, goditën individët dhe grupet e margjinalizuara. Këto grupe janë shënjestruar duke u goditur me dhunë, kontrolle identiteti, karantina dhe gjobitje.
Romët dhe njerëzit në lëvizje, përfshirë refugjatët dhe azilkërkuesit, u vendosën nën “karantina të detyrueshme” diskriminuese në Serbi, Hungari, Greqi, Bullgari, Sllovaki, Qipro, Francë dhe Rusi.
Hulumtuesit e Amnesty International kanë zbuluar se zyrtarët për zbatimin e ligjit përdorën në mënyrë të paligjshme forcën dhe kryen shkelje tjera në Belgjikë, Francë, Gjeorgji, Greqi, Itali, Kazakistan, Kirgizi, Poloni, Rumani dhe Spanjë.
Shumë vende, ku liritë dhe të drejtat e njeriut kanë qenë të kufizuara, gjatë vitit 2020 situata u përkeqësua, pasi autoritetet vendosën më shumë kufizime.
Autoritetet ruse shkuan përtej, duke mos goditur vetëm organizatat, por edhe individët e cilësuar si “agjentë të huaj”.
Raporti vë theksin te dhuna brutale, të cilën policia bjelloruse e përdori ndaj protestuesve të cilët kundërshtonin rezultatin zgjedhor si të manipuluar.
Qeveritë në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë, Armeni, Azerbajxhan, Bjellorusi, Francë, Hungari, Kazakistan, Poloni, Rumani, Rusi, Turqi, Turkmenistan dhe Uzbekistan, sipas Amnesty International, e “keqpërdorën legjislacionin ekzistues, dhe atë ri, për të kufizuar lirinë e shprehjes”.
Organizata thekson se qeveritë gjithashtu nuk morën masa të mjaftueshme për të mbrojtur gazetarët dhe sinjalizuesit, duke përfshirë punëtorët shëndetësorë dhe nganjëherë shënjestruan ata që kritikuan përgjigjet e qeverisë ndaj pandemisë.
“Këto raste janë shënuar në Kosovë, Shqipëri, Bosnjë, Armeni, Bjellorusi, Hungari, Kazakistan, Poloni, Rusi, Turqi, Ukrainë dhe Uzbekistan”, thuhet në raport.
Gërryerja e pavarësisë së gjyqësorit
Amnesty International thotë se qeveritë në Turqi, Poloni, Hungari dhe në vendet tjera, gjatë vitit 2020 kanë vazhduar të ndërmarrin veprime të cilat kanë shkatërruar pavarësinë e gjyqësorit.
“Kjo përfshin disiplinimin e gjyqtarëve ose ndërhyrjen në emërimet e tyre”, sqarohet në raport.
Në Rusi dhe në “pjesën më të madhe” të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, shkeljet e së drejtës për një gjykim të drejtë mbetën “të përhapura” dhe autoritetet përmendën pandeminë për të mohuar takimet e të burgosurve me avokatë dhe për të ndaluar publikun të përcjellë gjykimet.