Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar pas propozimit të qeverisë shqiptare për zgjatjen e kontratës koncesionare të aeroportit të Rinasit nga 22 në 35 vjet, pra me 13 vite. Lideri demokrat zotohet se nëse PD-ja do të vijë në pushtet do ta zhbëjë këtë vendim nëse miratohet nga parlamenti.
“Çdo akt koncesioni, PPP apo zgjatje koncesioni i propozuar nga qeveria ne ikje, është në shkelje flagrante të ligjeve të vendit. Zotohem para çdo shqiptari se unë dhe qeveria ime nuk do të njohim asnjë akt të tillë dhe do ta zhbëjmë atë. Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” do tu kthehet shqiptarëve dhe shtetit të tyre sipas përcaktimeve fillestare të kontratës koncesionare. Shqipëria do tu kthehet shqiptarëve! #ShqipëriaFiton” shkruan ai.
Këshilli i Ministrave ka dorëzuar në Kuvend projektligjin për miratimin e ndryshimeve të kësaj kontrate. Në relacionin shoqërues shpjegohet se në shkëmbim të zgjatjes së afatit të koncesionit me 13 vjet, kompania që menaxhon aeroportin premton disa investime.