Edhe pse emergjenca pandemike dhe ajo e tërmetit ishin në kulmin e tyre gjatë vitit 2020, shpenzimet buxhetore kanë kulmuar këtë vit.
Gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2021, qeveria ka shpenzuar rreth 263 miliardë lekë, vlerë kjo 30 miliardë lekë (244 milionë euro) ose 12% më e lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Rritja u udhëhoq nga shpenzimet korente me rreth 22,6 miliardë lekë ose 184 milionë euro më shume se vitin e kaluar dhe rritja e investimeve me 28% ose 63 milionë euro më shumë se vitin e kaluar.
Brenda shpenzimeve korente, rritjen më të madhe e kishin shpenzimet për fonde speciale (sigurime shoqërore dhe shëndetësore) me rreth 9,4 miliardë lekë ose 11% më shumë se 6-mujori i parë i vitit 2020. Rritja e shpenzimeve për skemën e sigurimeve shoqërore u nxit nga indeksimi i pensioneve para zgjedhjeve.
Shpenzimet për personelin (pagat) arritën në 35.9 miliardë lekë në 6-mujorin e parë, me një rritje prej 3.1 miliardë lekësh (25 mln eurosh) si pasojë e rritjes së pagave në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit.
Rritja e borxhit publik me gati 12 pikë përqindje të PBB-së brenda vitit 2020, po shton presionin e shpenzimeve buxhetore për interesa. Në 6-mujorin e parë të vitit 2021, interesat për pagesat e borxhit arritën në 18,3 miliardë lekë me një rritje 21% në raport me 6-mujorin e parë 2020, ose 26 milionë euro më shumë. Rritja më e madhe ishte në interesat e borxhit të jashtëm, pagesa e të cilave u zgjerua me 56% këtë vit, me një vlerë shtesë prej 19 milionë eurosh në raport me një vit më parë.
Shërbimi i borxhit publik do të vijë në rritje gjatë viteve në vijim, si pasojë e zgjerimit të deficitit buxhetor në rreth 1 miliard euro.
Brenda zërit të shpenzimeve korente rritje të lartë panë edhe shpenzimet operative dhëne të mirëmbajtjes të cilat arritën në 25, 2 miliardë lekë në janar-qershor 2021 me një rritje 34 milionë euro në raport me 6-mujorin e parë 2021 ose 20%. Shkak për këtë rritje janë bërë zgjedhjet e përgjithshme, të cilat nxiten rikonstruksione dhe riparime në disa objekte të infrastrukturës publike si rrugë dhe ujësjellës.
Gjithashtu shpenzimet për pushtetin vendor u rritën më tej këtë vit, duke arritur në 24,3 miliardë lekë ose 2 miliardë lekë (16 mln euro më shumë se në vitin e kaluar kryesisht si pasojë e nxitjes që erdhi nga zgjedhjet e përgjithshme.
Investimet kapitale panë rritjen më të madhe të shpenzimeve në përqindje. Në gjashtë muajt e parë u raportuan si shpenzime kapitale 35,7 miliardë lekë ose 7,8 miliardë lekë (63 mln euro) më shumë se viti i kaluar, me rritje 28%. Në këtë rritje kanë ndikuar shpenzimet për rindërtimin, të cilat ishin 10.8 milionë euro më 2021 nga 0 që ishin në 6-mujorin e parë 2020.
Qeveria ka rritur me rreth 100 milionë euro fondin për shpenzimet kapitale për gjithë vitin 2021 duke i çuar ato në rreth 1 miliard euro, vlera rekord e arritur në këto tre dekadat e fundit.
Në të kundërt, shpenzimet për ndihmën ekonomike, kompensimin e të përndjekurve dhe fondi rezervë shënuan ulje. Shpenzimet për ndihmën ekonomike u ulën me 3 % ose 3 milionë euro dhe fondi rezervë ishte 91 milionë euro më i ulët, për shkak se vitin e kaluar, këto shpenzime u rritën nga paketat e ndihmës anti -Covid dhe fondet e garancisë.
Për rindërtimin, në 6 muajt e parë të vitit u shpenzuan 10.8 miliardë lekë. Ritmet e shpenzimeve për rindërtimin ranë ndjeshëm në maj, në 1.7 miliardë ekë, ndërsa arritën kulmin në mars, para zgjedhjeve, me 3.9 miliardë lekë. Për 6-mujorin, qeveria ka shpenzuar 39% të planit vjetor prej 28 miliardë lekësh.
Pavarësisht rritjes së shpenzimeve, përmirësimi i të ardhurave ndikoi në uljen e deficitit buxhetor.
Niveli i deficitit për periudhën 6-mujore të vitit 2021 rezultoi në rreth 29.1 miliardë lekë, ose rreth 9.6 miliardë lekë më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Për periudhën 6-mujore, niveli i deficitit rezulton 58.4% e planit të periudhës prej rreth 49.8 miliardë lekësh./B.Hoxha/Monitor/