Ministria e Financave ka hartuar tre skenarë për ecurinë ekonomike të vendit deri në vitin 2025, duke parashikuar se çfarë ndodh nëse vendi ecën më mirë apo më keq se pritshmëritë bazë.
Sipas skenarit bazë, që ka më shumë gjasa të realizohet, rritja ekonomike e vendit pritet të jetë 5.5% këtë vit dhe me 4.8% në vitin 2022, për t’u ngadalësuar më pas në rreth 4% në 2024-2025.
Të ardhurat pritet të arrijnë në 29.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2025 dhe borxhi publik të zbresë gradualisht në rreth 68% të PBB-së deri në të njëjtën periudhë.
Krahas skenarit bazë, financat kanë llogaritur dhe alternativat optimiste dhe pesimiste, që supozojnë devijim nga parashikimet përkatëse të skenarit bazë për disa tregues kryesorë makroekonomikë, përfshirë huadhënien për ekonominë, ecurinë e ekonomisë së Eurozonës me efektet e njëpasnjëshme në eksportet e mallrave dhe shërbimeve, mbi remitancat, si dhe kursi i këmbimit, norma e interesit, ritmi dhe ndikimi i reformave të politikës strukturore të planifikuara për periudhën afatmesme etj.
Në skenarin pesimist, rritja pritet të jetë 1.5 pikë përqindje më e ulët se ai bazë, duke rezultuar në 4% këtë vit dhe 2.5% në 2025-n, ndërsa të ardhurat buxhetore do të arrijnë në 28.6% të PBB-së.
Skenari optimist parashikon një rritje 0.5 pikë përqindje më të lartë sesa ne skenarin bazë, në 6% në vitin 2021 dhe 4.5% në 2025. Ndonëse rritja ekonomike pritet më e lartë, të ardhurat maksimale buxhetore nuk parashikohen më shumë se 29.2% e PBB-së.
Në skenarët bazë dhe optimist, financat parashikojnë që ekonomia të rikthehet në nivelet e 2019-s, të para krizës së pandemisë që këtë vit, ndërsa në atë pesimist, kjo do të ndodhë vetëm në vitin 2022.
Në skenarin bazë dhe atë optimist, borxhi publik, që arriti deri në 80% të PBB-së në 2020-n do të fillojë të ulet që këtë vit, për të zbritur midis 64.5% dhe 68.3% të PBB-së në vitin 2025. Ndërsa në skenarin pesimist borxhi do të mbetet në gati 80% të PBB-së deri në vitin 2024 dhe do të fillojë të ulet vetëm pas kësaj periudhe.