KQZ i ka tashmë disa ide se si do të jetë fleta e votimit kur na mbeten edhe 74 dite nga zgjedhjet e 25 prillit.
Për shkak të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor pa dakordësinë e opozitës, në këto zgjedhje do të kemi disa risi.
Si fillim, koalicionet nuk do jenë siç ka qënë formula. Partitë në koalicione nuk do kenë listat e tyre, por do të jenë në një listë. Po ashtu listat do të jenë pjesërisht të hapura, që do të thotë se qytetarët përveç forcës politike apo koalicionit mund të zgjedhin edhe kandidatin e preferuar. Pikërisht në këto risi, KQZ-ja ka përgatitur edhe modelet e fletës së votimit që po diskutohen.
Modeli i parë i fletës që po diskutohet përbëhet nga një kolonë horizontale që ka subjektet politike, ose koalicionet dhe për çdo parti apo koalicion në kolonë vertikale janë emrat e kandidatëve sipas çdo koalicioni apo partie. Modeli tjetër është i ngjashëm me të parin, por përveç emrit, kandidati do të ketë edhe numër identifikimi.
Modeli tjetër që po diskutohet është një fletë që ka një kolonë të madhe vertikale me emrat e partive apo koalicioneve si subjekte zgjedhore. Në cepin e djathtë të fletës së votimit në fund të çdo emri partie ka një kuti ku do mund të vendoset kryqi nga zgjedhësi për subjektin politik. Ndërsa në pjesën e poshtme të fletës së votimit është kutia me numra që nënkupton kandidatin preferencial.
Pothuajse e ngjashme është edhe fleta e votimit modeli numër 4. Numrat që nënkuptojnë kandidatët preferencial nuk do të jenë në pjesën e poshtme të fletës, por përballë kolonës vertikale ku janë shënuar një nga një emrat e subjekteve politike.
Ndërkohë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, u ka bërë thirrje të gjitha partive politike pjesë e zgjedhjeve të 25 Prillit, të zbatojnë detyrimin ligjor mbi afishimin e materialeve propagandistike. Përmes Twitter-it, Celibashi thekson se kryetarët e bashkive në mënyrë të drejtë dhe brenda afateve ligjore, duhet të përcaktojnë vendeve ku do të afishohen materialet propagandistike.