Nga Ermal Mulosmani
Parku i madh i Tiranës ose siç njihet ndryshe nga banorët – Parku i Liqenit Artificial, ka qenë historikisht një nga zonat më të frekuentuara të qytetit. Qysh në mëngjes herët e deri në orët e mesnatës, rrugët e lakuara përmes kodrave dhe brigjeve të Liqenit popullohen masivisht nga pasionantë të natyrës, vrapues, sportistë, të moshuar, këngëtarë rrugësh, artistë performues dhe çifte të dashuruarish (këta të fundit gjithnjë e më pak).
Nëse në një mbrëmje vere ke vendosur ta bësh vrapin në një orë të vonë ky është një gabim i madh. Mes orës 21.30 deri në 23.00, në shëtitoren mbi Digën e Liqenit vërshon një lumë njerëzish si në shëtitoret e dikurshme të komunizmit! Qindra njerëz që shkojnë e vijnë në një rrugë 400-500 m të gjatë kanë zënë praktikisht të gjitha shtigjet e rezervuara për vrapues apo edhe çiklistë. Madje të shohin vëngër nëse pretendon të hysh mes tyre duke vrapuar apo me biçikletë. Gjithë kjo zallahi e gurgule mbrëmësore ka pak të përbashkëta me një promendaë vere. Të shëtisësh në këtë kaos është një zgjedhje e detyruar.
Betonizimi i Tiranës në çdo cep e ka kthyer Liqenin Artificial në të vetmin oaz të gjelbër, të vetmin oksigjen ku mund ti shmangesh betoniereve, pluhurit dhe zhurmës. Në këtë kontekst, merita e Bashkisë për superpopullimin e LIqenit është e plotë. Duke kthyer gjithë qytetin në kantier ndërtimi mbetet vetëm një zgjidhje – o burra te Liqeni!
Krahu jugor i Liqenit – pjesa në të djathtë të rrrugës kur shkon te TEG-u – ka qenë një zonë e mrekullueshme e gjelbër, pa ndërtime deri në zonat ku mes ullishteve shquheshin ca vila pasanikësh. Ishte një sipërfaqe dhjetëra hektarëshe me gjelbrim, që, në kushtet e superpopullimit të qytetit mund të ishte një zgjidhje fantastike për pyllëzim, për rritjen e sipërfaqes së gjelbër. Por kjo ishte dy vjet më parë. Sot në atë zonë ngrihen me dhjetëra pallate, gropa të tjera janë hapur, vinçe e betonierë punojnë gjithë ditën duke kafshuar çdo ditë e më shumë atë njollë jeshile që ka mbetur.
Shpirti i Parkut të Tiranës, Liqeni Artificial, ka kohë që po shteron e mpaket. Nëse kalon ditën përmbi Digë, në cepin perëndimor të Liqenit do vësh re disa pata të gjora të munduara nga zhegu i Korrikut që megjithatë refuzojnë të futen në ujë. Sipërfaqja e ujit po tkurret çdo ditë e më shumë duke krijuar sipërfaqe toke të çarë si në shkretëtirat e Xhibutit a Eritreas. Pellgu në metrat e parë është i pistë, ngjyrë balte të përzier me alga ndërsa bregu plot me gurë e bimësi kënetore, zhaba e shkreti. Qytetarët e shohin të brengosur atë burim infeksioni bash në qendër të Oazit të Tiranës!
Kjo gjendje vazhdon prej kohësh. Liqeni Artificial, sipas vlerësimeve të Ujësjellësit të Tiranës që e admoinistron ka një sipërfaje pasqyre prej 356,000 m katror me një vëllim afërsisht 2 milion e 560 mijë metër katror. Në përshkrimin eLiqenit Artificial, shkruhet: “Liqeni i Tiranës ka vetëm funksion ekologjik, duke ruajtur nivel konstant gjatë gjithë vitit të pasqyrës së ujit.”
E sigurtë është që sipërfaqja e pasqyrës së ujit nuk ka qenë e njëjtë këto kohë. Ujëra të pista, bimësi kënetore, zhabat në breg që bashkëjetojnë me patat e trembura që e refuzojnë ujin edhe në mes të zhegut – ky është një peizazh i trishtimit që kontraston me investimin e bërë në pjesën tjetër të Parkut.
Bashkia e Tiranës duhet të bëjë diçka sa më shpejt për të riparuar këtë situatë. Nuk e kuptoj sesi ata që e administrojnë Parkun mundet ta neglizhojnë deri në këtë pikë. Përpara se të investojnë duke shtuar njolla betoni (siç po bëjnë në fillim te parkut, te fushat e tenisit) le të shohin pak shëmtimin e trishtë të Liqenit./Express/