Komisioni hetimor i ngritur në Parlamentin shqiptar për të hetuar veprimet e Presidentit Meta gjatë procesit zgjedhor miraton sot në orën 11:00 raportin me gjetjet e hetimit, me të cilin do t’i drejtohet Parlamentit për të shkarkuar Presidentin.
Gazeta “Panorama” ka lexuar një pjesë të raportit, në të cilën renditen gjetjet e hetimit nga konsultimi me ekspertët ligjorë dhe nga informacionet e mbërritura nga institucionet shtetërore.
Ndryshe nga komisioni i ngritur pak më shumë se një vit më parë, ku në fund maxhoranca i kërkoi Presidentit që të kthehet në shinat e kushtetutshmërisë, por votuan kundër shkarkimit, këtë herë duket se PS-ja do t’i shkojë deri në fund nismës. Në raportin që pritet të miratohet sot, kreu i shtetit s’e ka shkelur betimin e Presidentit siç parashikohet në Kushtetutë.
Po ashtu, Meta akuzohet nga deputetët socialistë se ka shkelur nenin 86/ 1 të Kushtetutës, në të cilën thuhet:
“Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit”. Një tjetër akuzë që maxhoranca ka ngritur ndaj kreut të shtetit është shkelja e nenit 89. Sipas socialistëve, me veprimet e kryera, kreu i shtetit ka punuar gjatë fushatës në favor të një subjekti politik që merrte pjesë në garë, ndërkohë që neni në fjalë parashikon të kundërtën.
“Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private”, shkruhet në ligjin më të rëndësishëm të vendit. Ndërkohë, lidhur me ngjarjen e ndodhur vetëm pak ditë para zgjedhjeve në zyrat e FRDsë, komisioni hetimor ka ngritur një akuzë ndaj Presidentit Meta se ka shkelur nenin 94 të Kushtetutës, në të cilin thuhet: “Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të”.
PRISHJA E IMAZHIT
Komisioni hetimor ka analizuar edhe deklaratat e kreut të shtetit kur u bënte thirrje shqiptarëve për të mbrojtur votat në çdo mënyrë. Ndërsa në një rast tjetër komisioni ka analizuar deklaratat e Presidentit në emisionin “Çim Peka Live” në bazë të së cilës ka ngritur akuzën se Presidenti Meta ka cenuar marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët ndërkombëtarë. Ndërsa me thirrjen për mbrojtjen e votës duke përdorur çdo mjet, komisioni e ka interpretuar si një shkelje të së drejtës kushtetuese të individëve, siç është procesi zgjedhor. Si institucioni më i lartë shtetëror de juro, maxhoranca akuzon Presidentin se me akuzat e tij, ka cenuar imazhin e figurës së Presidentit.