Prokurorja Riselda Fishta e Prokurorisë së Lezhës do të përballet sot, më 12 korrik, me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i saj i vetingut po kryhet nga trupa gjyqësore e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Lulzim Hamitaj dhe Genta Tafa Bungo.
Riselda Fishta përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011. Ajo punon prej një dekade si prokurore në Prokurorinë e Lezhës.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Në deklarimin për herë të parë në vitin 2010, prokurorja Fishta nuk zotëronte asnjë pasuri, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria e saj familjare llogaritet në 4.2 milionë lekë.
Ajo zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 3.7 milionë lekë, likujditete bankare prej 171 mijë lekësh dhe një automjet me vlerë 370 mijë lekë. Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 9 milionë lekë, nga të cilat 92% kanë si burim pagën e Znj.Fishta nga funksioni i prokurores dhe 7% nga paga e bashkëjetuesit, shkruan Birn.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 9 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.