Policia e Shtetit po përdoret për interesat elektorale të mazhorancës, duke gjobitur në mënyrë preferenciale përfaqësuesit e partive politike që thyejnë rregullat anti Covid dhe shkelin Aktin Normativ.
Në rastet kur ato thyhen nga opozita, gjobat janë të majme, plot 5 milionë lek të reja. Kujtojmë se policia ka gjobitur së fundmi përfaqësuesit e PD, Edmond Spaho dhe Belind Këlliçi.
Po kështu, policia ka ndërhyrë në një aktivitet të kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, ku zbarkuan plot gjashtë policë.
Ndërsa në rastet kur bëhet fjalë për përfaqësues të mazhorancës, policia u shkel syrin edhe pse provat dëshmojnë se ka shkelje flagrante të Aktit Normativ.
Në rastin e deputetit Xhemal Qefalia në Zall Herr, ku në takim ka patur dhjetëra persona, një pjesë e të cilëve nuk mbanin maskë, policia nuk ka vendosur gjobë.
Televizioni ABC u interesua për këtë rast edhe pranë Policisë së Shtetit dhe ka konfirmuar se ndaj deputetit Qefalia nuk është regjistruar asnjë masë administrative. Ndërkohë pas publikimit të rastit në media, Qefalia ka fshirë nga profili i tij në Facebook disa prej fotove të takimit në Zall Herr ku ai shfaqej me shumë prej përfaqësuesve të Partisë Socialiste.
Me sa duket, policia do të vijojë me traditën e përdorimit si një polici politike, në duart e mazhorancës për të ndikuar drejtpërdrejt në fushatën elektorale, duke e pamundësuar komunikimin e opozitës me votuesit, ndërkohë që nuk ndodh e njëjta gjë me përfaqësues të mazhorancës.
Më poshtë shihni fotot nga takimi i Qefaliajt!
/TPZ.al/