Përpara dekanatit të Universitetit Aristoteli në Selanik është varur një pllakat.
Disa qindra studentë e mbajnë të bllokuar godinën – në korpusin që zakonisht është bosh për shkak të pandemisë.
Pothuajse po aq policë qëndrojnë përballë studentëve në territorin e universitetit.
Studentët demonstrojnë kundër një ligji të miratuar së fundi, i cili parashikon, që policët të dislokohen në korpusin e universitetit.
Me këtë qeveria synon të reagojë ndaj gjoja veprimeve kriminale nëpër universitete. Por në universitete mendohet, se pas kësaj qëndrojnë të tjera motive.
Pedagogët dhe studentët po luftojnë tani për të drejtat e lirive të tyre duke tërhequr vëmendjen për rolin e rëndësishëm të universiteteve në historinë e Greqisë.
Plagë të së shkuarës
Fotini Tsibiridou, profesore në Universitetin Makedonia të Selanikut, është një ndër 1000 akademiket, që protestojnë kundër këtij ligji:
“Unë druaj një kulturë ushtarake, që mund të futet në universitet bashkë me policinë. Kjo nuk përshtatet me bazën e lirisë së dialogut dhe të mendimit kritik.” Prania e policisë më shumë të krijon imazhin e shtypjes së kulturës.
Fjalët e Tsibiridous kanë jehonën e një lufte kulturore, që po dominon prej disa dekadash jetën politike e shoqërore në Greqi.
Pushtimi i Greqisë nga Wehrmacht-i i Hitlerit kulmoi me një luftë të përgjakshme civile, që u zhvillua mes partizanëve të majtë në Veri të Greqisë dhe qeverisë konservatore në Athinë.
Që nga ajo kohë e majta dhe e djathta përballen në mënyrë të papajtueshme në Greqi. Tsibiridou rrënjët e konfliktit të sotëm i gjen nga ajo kohë: “Për shkak të kësaj simptome të luftës civile, që çoi edhe tek junta ushtarake në vitet 1967 deri më 1974 ka shumë kujtime të këqija për policinë.”
Më 1974 mori fund koha e juntës ushtarake ndër të tjera edhe sepse, një kryengritje e studentëve në Universitetin e Athinës u mposht.
Me azilin universitar që u aplikua pas kësaj universiteti konsiderohet qysh nga ajo kohë si një mjedis i mbrojtur për të përndjekurit politikë – derisa më 2019 qeveria e shfuqizoi këtë e tani do të vendosë policinë në korpus.
Arsimim më i mirë nga prania e policisë?
Theodoros Kallitsis nga partia Nea Dimokratia në Selanik nuk e kupton indinjatën. Ai e mbështet kryetarin e partisë dhe kryeministrin Kyriakos Mitsotakis me ligjin e ri.
Ëndrra e tij është, që Selaniku të bëhet qendra kulturore dhe shkencore e Ballkanit.
Në këtë drejtim luajnë rol të rëndësishëm universitetet, por në to mungon siguria, thotë ai: “Detyra e policisë greke është të mbrojë universitetet, të garantojë sigurinë për studentët dhe pedagogët.”
Ai bën fjalë për kriminalitet në korpusin universitar. Vjedhje, vidhen pajisje, për të prodhuar drogë, si dhe aksione politike të grupeve radikale të majta.
Një ngjarje e tillë ndodhi në tetor. Studentë të majtë sulmuan një dekan të një universiteti ekonomik të Athinës dhe e detyruan atë të mbajë një parrulle me deklaratë solidariteti për shtëpitë e Athinë dhe të Selanikut të zaptuara nga të majtët.
Qeveria e qendrës së djathtë drejtuar nga Kyriakos Mitsotakis më 2019 udhëzoi lirimin me dhunë të këtyre shtëpive.
Kallitsis nuk e kupton kritikën, madje as në kontekstin historik: “Do të krijohet një shërbim privat sigurie, që do të paguhet nga policia.
Kjo strukturë do të jetë nën drejtimin e administratës së universitetit. Policia nuk do të jetë e armatosur”, thotë ai. Por nuk është kaq e thjeshtë.
Policët e korpusit universitar do të lejohen të kontrollojnë personat, t’i arrestojnë ata përkohësisht apo t‘i marrin në pyetje.
Kjo i tejkalon kompetencat e shërbimit të sigurisë. Pikërisht të tilla ndërhyrje në liri si dhe anulimin e azilit universitar që vlen që nga koha e juntës ushtarake duan të pengojnë protestuesit.
Qeveria e Nea Dimokratia është e vetme me këtë ligj të ri.
Pjesa më e madhe e administratave të universiteteve, madje edhe e vetë universitetit konservator të Athinës, sindikata e policisë si dhe anëtarë me poste të Nea Dimokratia janë kundër dislokimit të policëve në universitete.
Universitetet i kanë paraqitur një propozim qeverisë: Ato kërkojnë një truprojë private në korpus./Deutsche Welle