Mjeku Pëllumb Pipero ka treguar se është mjekuar në kushte shtëpie pas infektimit me Covid-19. I ftuar në “Open”, Pipero tha se ka lexuar në media që është mjekuar në Itali e Turqi dhe madje me ironi shtoi se kishte lexuar që ishte intubuar, por që sipas tij, asgjë nuk është e vërtetë.
“Kam dëgjuar që kisha ikur në Turqi urgjent, në Itali urgjent…madje në Itali kam shkuar i intubuar. E vërteta është se jam mjekuar në shtëpi. Nuk kam lëvizur nga Shqipëria. Për fat të keq nuk kisha as bashkëshorten në shtëpi, e kisha në Itali. Kështu që e kam kaluar me dy infermiere që më vinin çdo ditë në shtëpi dhe me ndihmën e djalit,” – tha Pipero.
I pyetur se përse nuk u kishte përgjigjur telefonatave, Pipero tha se e ka pasur të vështirë të ruajë komunikimin me njerëzit.
“Është e vërtetë, por ishte presioni pozitiv i qytetarëve për informacion, i kolegëve , gazetarëve ndaj e mbylla e telefonin, për të qenë më i qetë ndryshe do ishte e pamundur” – tha ai.
“Kam qenë me fat që kam pasur konsultën e mjekëve kolegë. Kam kaluar një formë nga e lehta në të mesme pa komplikacione, e kam kaluar në kushte shtëpie. Ditën kur dola pozitiv bëra një test serologjik, ku kisha një nivel të ulët por relativisht mirë për tu mbrojtur, por megjithatë doza e parë nuk të mbron 100% e megjithatë mua ndihmoi në pasjen e antitrupave. Kam përdorur gjithashtu dhe doza të vogla të kortizonilëve. Tani kam më shumë se 7-8 ditë tani që jam negativ.
Përveç faktit që siç na thonin pacientet që kishin ankth dhe merak, tani që e kalova e kam pasur ankthin dhe pagjumësinë pjesë të kësaj beteje. Eksperienca personale është aset i vyer i një mjeku në këtë betejë. S’bëhet fjalë për frikë nga vdekja, por ishte pagjumësi që nuk menaxhohej lehtë, ishte gjithmonë po sikur, dhe s’të linte të flije. Tani do marr dozën e dytë të vaksinës se dhe studimet e rekomandojmë” – tha Pipero.