Një tjetër incident mes pushuesve dhe pornarëve të një hoteli ka ndodhur edhe këtë vit në Jug të vendit. Një çift pushuesish së bashku me vajzën e tyre të vogël kanë shkuar për të kaluar disa ditë në bregdetin e Livadhës, por janë përballur me të papritura.
Balkan web raporton se çifti e kishte prenotuar për tri ditë hotelin, të premten, të shtunën, të dielën, por pak ditë më parë kanë kërkuar që të shkonin që të enjten dhe nga ana e hotelit kanë marrë përgjigje pozitive.
Për dy ditë që kanë qëndruar, çifti ka mbetur i pakënaqur nga kudhtet dhe ka tentuar të largohet të shtunën duke kryer edhe pagesën për ditët që qëndruan. Mirëpo pronarja nuk i ka lejuar dhe i ka kërkuar pagesën deri në ditën e diel.
Videoja e publikuar nga Balkan web tregon gruan mjaft të nervozuar kur sheh se pushuesit po e filmojnë. Ajo fillon t’i akuzojë ata se i kanë bërë dëm duke i djegur çarçafët dhe i ka kërkuar paratë, ndërsa ka dalë në rrugën kryesore në Himarë duke i penguar të largohen.
Pushuesit kanë kërkuar të denoncojnë në polici e cila vonoi të vinte për disa minuta, ndërsa konflikti vijonte. Por gruaja nuk ndalet këtu, pasi thërret për ndihmë edhe një person tjetër, ndërsa çifti ndalohet dy herë nga pronarja e hotelit për të shkuar në polici. Si përfundim pushuesit kanë denoncuar në policinë e Sarandës, ndërsa në video dëgjohet e qara e vajzës së mitur, e frikësuar për atë që po ndodh.
Kujtojmë se një rast i ngjashëm është përsëritur disa vite më parë. Mihal Kokdhima në Himarë ndaloi disa pushues të huaj pasi atyre nuk u kishte pëlqyer ushqimi dhe nuk kishin pranuar të paguanin.