Drejtuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi e sheh ndryshe takimin mes Albin Kurtit dhe Edi Ramës në samitin e Tiranës, që u finalizua me një përqafim mes të dyve. Në një postim në rrjetet sociale, Abazi thotë se përqafimi i Ramës nuk ishte vëllazëror, por prej boksieri. Sipas tij, Rama i dha Kurtit kohë që të shplodhej para se ti jepte grushtin e radhës. Por cila do të ishte goditja e radhës? Deklarata e kryeministrit shqiptar se nisma e qeverisë Kurti për paditjen e Serbisë për Genocid shihej prej tij me rezerva.
POSTIMI I PLOTË:
Përqafimi që Rama i bëri Kurtit nuk ishte i llojit vëllazëror. Ai ishte përqafim prej boksieri, edhe pse Kurti nuk kishte ardhur aspak për ndeshje me Ramën, por për koordinim kombëtar. Rama i dha, megjithatë, një përqafim prej atyre që boksieri bënë për të marrë pak frymë e për t’u shplodhur, para grushtit të radhës. Dhe grushti erdhi menjëherë pas “përqafimit”, në intervistën për “Euroneës Serbia”, ku Rama e goditi nismën e qeverisë Kurti për ta paditur Serbinë për gjenocid në Kosovë.