Kryeministri Edi Rama foli ditën e sotme nga Elbasani për përplasjen mes kandidatit për deputet të PD, Luçiano Boçi, dhe biznesmenit Gjergj Luca.
Gjatë një takimi me kandidatët e PS në Elbasan, kryeministri u shpreh se nëse “gurshtuesi i sipërmarrësit të madh do të kishte qenë cilido nga ne, ata do të kishin vënë kujën”.
“Nuk mund të vaksinojmë intensivisht, dhe të tallemi nga ana tjetër. Është papërgjegjshmëri dhe këtë nuk mund ta bëjë një forcë politike, që pretendon të ofrohet si forcë qeverisëse. Ky skuthllëk është tipar i lidershipit të tyre dem babadem dhe i politikës së tyre dem babadem.
Gjithsesi ne do vazhdojmë të respektojmë rregullat, do të gjejmë mënyra për të angazhuar njerëzit në komunikimet tona, por asnjëherë nuk do të biem pre e tufologjisë.
Në vitin 2021, në mes të një pandemie, Shqipëria të kishte si alternativë zgjedhjeje një opozitë, e cila të ishte kaq e papërgjegjshme, kaq e boratizuar, kjo vërtetë do të dukej realisht e pamundur, nëse do ta shikonim Shqipërinë e 2021 me sytë e 1990.
Janë ca gjëra që nuk kanë ndryshuar nga 1990, e mbi të gjitha natyra agresive, destruktive, vulgare, e politikës së vjetër, që mishërohet sot në koalicionin e ri të fytyrave të vjetra, që kemi përballë.
E pamë këtu në Elbasan pak ditë më parë dhe ju ftojmë të gjithëve ta imagjinoni sikur grushtuesi i një sipërmarrësi të madh këtu në Elbasan, si Gjergj Luca, të kishte qenë cilido prej nesh, cilido prej djemve e burrave që janë këtu në tavolinë.
Imagjinoni sikur grushtuesi i një sipërmarrësi, grabitësi i telefonit të tij, të ishte Taulanti, apo Luani, apo Florenci, cilido qoftë, çfarë do të ishte bërë dhe çfarë do të kishin bërë, e sa emaile e telefonata, llumi e balte do të kishin derdhur nëpër Evropë, e sa shumë do të kishin vënë kujën.
Por, ne e kemi të qartë që njerëz të dëshpëruar, bëjnë gjëra të dëshpëruara, edhe ata janë të dëshpëruar, se e kanë të qartë që nuk kanë mundësi ta kenë një shans tjetër”, tha Rama.