Përplasja e Boçit dhe Lucën, Bardhi: Dëshmi e dëshpërimit të Ramës për humbjen


Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Elbasan, Gazment Bardhi ka reaguar pas incidentit, ku Luçiano Boçi u përplas fizikisht me biznesmenin Gjergj Luca.

Bardhi ka dënuar agresion ndaj kandidatit demokrat. Sipas tij kjo është dëshmi e dëshpërimit të thellë që ka Edi Rama nga humbja e sigurtë që e pret me 25 prill.

“Agresioni i ortakut të qeverisë, Gjergj Luca, ndaj kandidatit të PD në Elbasan, Luciano Boci, është një dëshmi e dëshpërtimit të thellë që ka Edi Rama nga humbja e sigurtë që e pret me 25 prill, dhe një vërtetim i sistemit korruptiv që ai ka ngritur në këto 8 vite.

Gjergj Luca, është një oligark i Edi Ramës, që ka privatizuar e ka marrë çdo pasuri që ka dashur në Elbasan, me një të rënë të lapsit. Gjergj Luca është përfitues dhe plaçkitës, dhe ai do të bëjë gjithçka, sëbashku me mercenarin e tij politik, Taulant Balla, që të ruajë privilegjet.

Por kjo fushatë, këto zgjedhje, janë për qytetarët, për interesat dhe jetën e tyre. Nuk janë për një grusht njerëzish me të cilët Edi Rama ka ndarë asetet dhe buxhetin në këto 8 vite.

Biznesmeni i Edi Ramës, e beri sot edhe më të qartë zgjedhjen që duhet të bëjnë qytetarët me 25 prill.

Do të votojnë në Elbasan që të shtojë edhe më shumë pasurinë Gjergj Luca, të rrisë luksin Taulant Balla, apo do të votojnë të kenë rend e siguri, të kenë rritje të pagave e pensioneve, të kenë vende të reja pune, të kenë dyfishim të ndihmës ekonomike, subvencione në bujqësi, e mbështetje për të rinjtë e familjen”, shprehet Bardhi.

Author: admin